Nishani, mesazh ngushëllimi familjes së akademikut Kristo Frashëri

02/02/2016 10:30

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së historianit Kristo Frashëri, një ditë pas njoftimit për ndarjen e tij nga jeta.

“Lajmi i ndarjes nga jeta i profesor Kristo Frashërit më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për shkencën dhe historinë shqiptare. Në këto çaste të dhimbshme, më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta personale dhe institucionale për humbjen e jetës së njeriut tuaj të shtrenjtë”, thotë Nishani në mesazhin e tij.

Kreu i shtetit vlerëson se, “emri i nderuar i Kristo Frashërit u rendit me dinjitet përkrah emrave të shquar të historianëve shqiptarë, duke shndritur me shkëlqimin e vetë të veçantë shkencor, filolog dhe vetitë e tij të rralla njerëzore”.

“Jeta, vepra dhe puna shkencore e tij janë dhe do të mbeten dokumente të vyera për të gjithë brezat e ardhshëm të kombit shqiptar”, thotë më tej presidenti.

Top Channel