Të plagosurit e Pogradecit, mjekët: 9 persona në gjendje kritike

02/02/2016 10:50

Të gjithë të plagosurit nga shpërthimi i një bombole gazi në Pogradec, janë duke u mjekuar ne repartin e Djegie Plastikës në QSUT.

Tre pacientët e fundit mbërritën në mesditë me helikopter nga Spitali i Korçës. Gjatë mëngjesit dhe paradites, mjekët kanë bërë një ndarje të pacientëve që kishin mbërritur në Pavionin e Djegies gjatë natës së të hënës, sipas gjendjes së tyre.

“Dje janë paraqitur 23 pacientë, midis tyre 9 janë shtruar në terapinë intensive në gjendjen më të rëndë, 8 në pavion në gjendje të mesme, dhe gjashtë në gjendjen më të lehtësuar. Flasim për djegie të gradës së tretë kryesisht, janë të thella dhe që kanë prekur pjesë kritike, duar e fytyrë. Jemi duke bërë gjithë ekzaminimiet për momentin e kemi të stabilizuar 14-vjeçarin që është në gjendje më të rëndë”, ka bërë të ditur mjeku Gjergji Belba, shefi i shërbimit të Djegie Plastikës.

Për momentin thonë mjekët, nuk është i mundur transferimi jashtë shtetit për asnjë prej pacientëve.

“Nuk është e mundur transferimi i tyre jashtë shtetit pasi duhet të stabilizohen njëherë. Ne jemi në vazhdimësi të mjekimit. Njëri është më i ri, të tjerët janë të moshës 25-45 vjeç”, thotë mjeku Belba.

Që herët në mengjes, vizite tek të plagosurit zhvilloi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj për t’u informuar për gjendjen e tyre, ndërsa gjatë paradites në pavionin ku ndodhen të plagosurit ishte edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Shpërthimi ndodhi të hënë në mbremje në një lokal në fshatin Beragozhdë në Pogradec, ku mbetën të plagosur nga djegiet 26 persona, shumica të rinj.

Top Channel