Ajoua përgënjeshtroi sondazhet, Trump dhe Clinton nuk janë në avantazh

02/02/2016 12:15

Ted Cruz triumfoi mbi Trump, Clinton dhe Bernie Sanders janë në barazim! Përveçse e çuditshme, fushata e zgjedhjeve paraprake në Shtetet e Bashkuara po dëshmohet dhe e paparashikueshme.

Tërmeti i Ajouas ofron dhe surprizën e parë të një gare që duket se do të jetë e mbushur me të tilla.

Sondazhet parazgjedhore rezultuan të gabuara në të dy kampet: tronditja më e madhe vjen nga republikanët, ku triumfi i Trump as që vihej më në diskutim, por në votimet e Ajouas, vetëm 1 për qind e ndan nga vendi i tretë.

Hillary Clinton, që e nisi fushatën me një avantazh në dukje të pathyeshëm, poshtërohet nga i vetmi politikan i Amerikës që guxon ta përshkruajë veten si “socialist”.

Në të dy kampet, fitoren e fusin në xhep kandidatët anti-establishment, ata që janë në kurs përplasjeje me partitë e veta dhe favoritët e këtyre të fundit.

Triumfi i së hënës e rikthen Ted Cruz fuqishëm në lojën që deri më tani, për aktor kryesor kishte Trump.

Duke cituar vazhdimisht Biblën, senatori konservator thotë se presidenca e tij do të jetë një “ngadhënjim i vlerave judeo-të krishtera pas shkatërrimit që Obama i bëri Amerikës në gjithë këto vjet”.

Cruz është përplasur hapur me krerët e partisë së vetë. Kjo është një fitore e bazës, thekson ai, lidershipi kishte përzgjedhur tjetërkënd. Një pjesë e rëndësishme e mbështetjes erdhi dhe nga evangjelistët, element kyç i elektoratit republikan, sidomos në zonat rurale.

I ngjashëm ishte triumfi për Sanders. “E fillova garën me 40 pikë diferencë. Kam bërë një fushatë pa shumë bujë, pa mjete, pa financues të mëdhenj, e sërish, ja ku jam”, kujtoi senatori i Vermontit.

Për Hillary Clinton, që në Ajoua kishte një makineri organizative shumë më të gjerë e të mirëstrukturuar, barazimi përbën një sinjal alarmi.

Top Channel