Fëmija me fanelën e Messit, 5-vjeçari afgan do takohet me idhullin

02/02/2016 12:30

Në provincën e varfër afgane të Ghaznit, edhe mbijetesa është sfidë më vete. Por çfarë mund të bësh kur kërkon diçka që duket tepër e thjeshtë, e që për dikë atje është fare e paarritshme?

5-vjeçari Murtaza Ahmadi e donte shumë një fanelë të ngjashme me atë të heroit të tij, Lionel Messi. Vetëm se një bluzë me numrin e yllit të futbollit të stampuar në ngjyrën blu, vështirë se mund të gjendej atyre anëve, ndaj vogëlushi u kënaq me një fanelë të improvizuar prej një qeseje plastike.

“E dua futbollin dhe Messindhe një ditë kam për ta takuar”, tha fëmija në një intervistë për Al Jazeera të hënën. Ajo ditë mund të vijë më shpejt nga ç’e pandeh Murtazai.

Federata Afgane e Futbollit konfirmoi se përfaqësuesit e lojtarit të kombëtares argjentinase e që luan për Barcelonën janë angazhuar t’i organizojnë një takim me adhuruesin e tij më të madh.

“Po bëjmë ç’është e mundur për t’i vënë përballë njëri-tjetrit”, tha zëdhënësi i AFF-së, Syed Ali Kazemi.

Data dhe vendi i takimit ende nuk janë konfirmuar, por mundësitë më të mëdha janë që Ahmadi të udhëtojë drejt Spanjës e ta takojë atje idhullin e tij.

Kazemi shtoi se federata do të përpiqet gjithashtu që pasioni i jashtëzakonshëm i këtij fanatiku të vogël të sportit t’i sigurojë në të ardhmen një hapësirë në ekipin afgan. “Do të bëjmë gjithëçfarë kemi në dorë për ta stërvitur”, sqaroi zëdhënësi.

Një konspiracion i universitetit, e për hir të se vërtetës, edhe i internetit, ndihmoi në përmbushjen e ëndrrës së 5-vjeçarit.

“Që t’i blinim një fanelë origjinale ishte e paimagjinueshme, nuk kemi asnjë mundësi”, i tha Al Jazeeras vëllai i tij 15-vjeçar Homayoun, “prandaj, që ta kënaqja sadopak, i sajova një bluzë me qese plastike”.

Fotoja e vogëlushit bëri xhiron e botës dhe në fund, Murtazai duket se do të fitojë më shumë sesa thjesht një fanelë.

Top Channel