Prokuroria e Matit: 6 vjet burg ish-shefit të OSHEE-së për Burrelin

02/02/2016 13:20

Prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin me 6 vjet burg për ish-përgjegjësin e OSHEE-së për zonën e Burrelit, shtetasin Idriz Driçi, i akuzuar për “korrupsion pasiv”.

Sipas një njoftimi për shtyp nga organi i akuzës, nga hetimi dhe më pas në gjykim ka rezultuar e provuar se Driçi, duke urdhëruar punonjësit e tij që të ndërhyjnë në mënyrë abuzive dhe të dëmtojnë sahatin elektrik të një abonenti, i ka kërkuar dhe marrë atij shumën prej 50 mijë lekësh të reja, në këmbim të moskallëzimit të “shkeljes” së konstatuar në aparatin matës.

Ngjarja për të cilën akuzohet Driçi ka ndodhur më 15 shtator 2015, kur disa punonjës të OSHEE-së shkuan në vendin ku ushtronte aktivitetin privat shtetasi me inicialet D.K, me qëllim kryerjen e një kontrolli “rutinor”.

Gjatë kontrollit, njëri prej punonjësve të OSHEE i këputi me pinca vulat e sahatit të energjisë elektrike të abonentit, ndërsa të tjerët e kërcënuan duke i thënë se do të njoftonin policinë për ta arrestuar për “vjedhje energjie”. Megjithatë, ata i thanë se kjo situatë mund të zgjidhej nëse ai do të bisedonte me përgjegjësin e tyre, Idriz Driçi.

Shtetasi D.K e denoncoi ngjarjen në polici dhe kjo e fundit, bashkë me Prokurorinë e Matit mbajtën nën vëzhgim momentin e dorëzimit të parave dhe bënë arrestimin e zyrtarit.

Gjykimi ndaj të pandehurit është zhvilluar me proçedurë të shkurtuar. Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri Idriz Driçi ka pranuar faktin se është autor i kryerjes së veprës penale.

Top Channel