Bombola e prag-tragjedisë ishte e ndryshkur; gazi e flakët goditën 26 vetë

02/02/2016 13:35

Policia e Pogradecit, e cila mori si provë materiale copat e bombolës që shpërtheu në lokalin e Beragozhdit, ka deklaruar se shpërthimi ndodhi për shkak të çarjes së metalit.

Ndryshku e ka gërryer dhe dobësuar aq shumë sa presioni gazit e çau. Gazi mbushi lokalin dhe në kontakt me sobën e ngrohjes së ndëzur, shpërtheu.

26 të rinj e burra u përplasën në tokë dhe u dogjën nga flakët. Dëshmitarët që panë ngjarjen tregojnë atë që përjetuan.

“Llahtar pamë këtu. Një kokë të djegur, një kurriz e një këmbë. I shuam ca me ujë, ca me plaçka. Ç’të bënim”, thotë një prej tyre.

Eri Hamolli, vetëm 14 vjeç, ndodhej në lokal pasditen e së hënës. Flakët e kanë dëmtuar atë shumë rëndë, duke i shkaktuar djegie në 50 përqind të trupit. Babai i të miturit ndodhet në emigrim, ndërsa ai jeton me nënën dhe motrat. Nëna kërkon ndihmë për të birin.

“Më tha nusja, dil se çfarë ka ndodhur. Unë, siç isha zbathur dola. I them me gjithë zemër kryeministrit që ta shpëtojë djalin”, thotë ajo.

Policia, pak pas ngjarjes mori provat dhe arrestoi në flagrancë shtetasin Romario Muçka, 20 vjeç, i cili rezulton të jetë pronari i lokalit, ndërsa banorët njohin si pronar të atin e tij. 20-vjeçari akuzohet për plagosje pa dashje.

Lokali, që ndodhet në qendër të fshatit Beragozhd, është vendi ku djemtë dhe burrat e fshatit mblidhen çdo pasdite.

Top Channel