Renzi: Mbrojmë Shengenin, nuk do të lejojmë ta shkatërrojnë

02/02/2016 00:00

“Ata që duan të shkatërrojnë Shengenin duan të shkatërrojnë Europën dhe ne italianët nuk do e lejojmë”. Fjalë të ashpra këto të kryeministrit italian Matteo Renzi, i cili nuk ndal kritikat e tij ndaj një pjese të përfaqësuesve të Bashkimit Europian, ata që ai i konsideron si profesionistë të polemikave.

“Nëse duam të zgjidhim problemin e emigrantëve duhet një strategji afatgjatë dhe jo polemikëza të rëndomta. Ka mbaruar koha kur Europa na thoshte ç’duhet të bënim, ne i japim Brukselit njëzet miliardë dhe marrim prej tij njëmbëdhjetë ” deklaroi ai.

Pasi Italia bëri të ditur se do të marrë pjesë në fondin prej 3 miliardë eurosh që do t’i jepet Turqisë për menaxhimin e situatës së emigrantëve, kreu i qeverisë së Romës shprehu hapur pakënaqësinë e tij për trajtimin e pabarabartë: “Eshtë absurde, u shpreh ai, që shpenzimet e përballuara për të shpëtuar fëmijët nga Eritreja që mbërrijnë në Sicili, të konsiderohen në mënyrë tjetër nga ato që duhen për të shpëtuar fëmijët që mbërrijnë në Greqi në brigjet e Egjeut”.

Disa herë ai ka përsëritur se emigrantët janë të gjithë njëlloj dhe se Italia ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish, ndërsa Europa kthente sytë tjetërkund.

Top Channel