Thaçi: Në shkurt zgjidhet presidenti. SHBA, dakord për zgjedhje me marrëveshje

02/02/2016 00:00

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i bindur se, gjatë këtij muaji do të votohet si president, sipas procedurave të rregullta kushtetuese.

Një ditë pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pati një takim joformal edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, Thaçi tha se SHBA-të mbështesin procesin e zgjedhjes së presidentit sipas marrëveshjes politike dhe kushtetuese.

“Procesi i rregullt, normal dhe në afatin e duhur kohor i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, tanimë është në fazën finale. Ai do të ndodhë gjatë muajit shkurt. Ende nuk kemi diskutuar për datën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e plotë për zgjedhjen e rregullt të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe, natyrisht, edhe pas zgjedhjes së tij. Por, ajo që mund të konfirmoj gjithashtu është se, Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli e dinë mirë kush janë kandidatët për President në Republikën e Kosovës. Ju falënderoj”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Këto komente, Thaçi i bëri pas takimit në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, George Ëilliam Vella.

Kryediplomati i Maltës tha me këtë rast se, Kosova ka arritur progresin e nevojshëm për liberalizimin e vizave, por – sipas tij, – vonesat kanë të bëjnë me fluksin e madh të refugjatëve nga Siria dhe Afganistani në vendet e zonës “Schengen”.

Top Channel