Koka dhe Peleshi në Fan: Moratoriumi i pyjeve ndihmon në zonat e degraduara

02/02/2016 15:50

1500 fidanë janë mbjellë në një preoj zonave më të shkatërruara nga prerjet e paligjshme në vite, lugina e Fanit.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe zv. Kryeministri Niko Peleshi kanë inspektuar pyllëzimin e kësaj zone në Reps, e cila është prekur gjithashtu dhe nga erozioni në Rrugën e Kombit.

“Moratoriumi sigurisht që është një masë drastike, por prej viteve ‘45 Shqipëria ka pasur një disproporcion të shfrytëzimit të pyjeve. Dhe sot gjendemi në një situatë ku vendimi është një kosto por ajo që e veçon këtë qeveri dhe këtë parlament sot, është guximi dhe vizioni për të bërë këtë ndryshim dhe për të marrë vlerësim ndoshta jo sot, por të paktën pas 10 vitesh” tha Ministri Koka

“Ka pasur një keqmenaxhim të pyjeve gjë që e ka detyruar Ministrinë e Mjedisit dhe Qeverinë Shqiptare të ndërmarrë masën drastike të moratoriumit. Moratoriumi do të shoqërohet me sanksione shumë të forta për ata që do të guxojnë që ta shkelin atë. Ndërkohë kemi shtuar forcat duke decentralizuar kompetencën edhe tek pushteti vendor. Kështu që nga njëra anë në menaxhimin e pushtetit vendor dhe nga ana tjetër nën inspektimin e kontrollin e Inspektoriatit të Pyjeve do të mund të vendosim një regjim të ri për pyjet . Natyrisht që do të lejohen bashkitë të shfrytëzojnë pyjet vetëm për nevojat e ngrohjes”, tha Zv/Kryeministri Peleshi.

Zona ku ka nisur ripyllëzimi ndodhet në një pjesë të pellgut ujëmbledhës të lumit Fan, dhe karakterizohet nga pyje të degraduara në masën 70% nga prerjet ilegale dhe shfrytëzimet pa kriter. Dëmtimi i pyjeve ka sjellë erozion sipërfaqësor dhe të rëndë ndërsa aluvionet që depozitohen në shtratin e lumit janë një shkak për përmbytje.

Top Channel