SHELL zgjeron aktivitetin në Shqipëri, Gjiknuri: Pozitive

02/02/2016 16:10

Kompania SHELL, një ndër më të mëdhatë në botë në fushën e nxjerres së naftës, ka njoftuar zgjerimin e aktivitetit të vet në Shqipëri dhe këtë ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri e përshëndeti duke e vlerësuar si një lajm të mirë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjiknuri shkruan se SHELL ka marrë plotësisht kontrollin e marrëveshjes koncesionare në blloqet 2 dhe 3, dhe po negocion me një tjetër marrëveshje për bllokun 4.

Afrimin e SHELL dhe të disa kompanive të tjera të mëdha ndërkombëtare, ministri i Energjitikës e lexon si interes në rritje të investitorëve të huaj në fushën e hidrokarbureve në Shqipëri, falë edhe politikave të qeverisë.

“Pavarësisht faktit se çmimet e naftës kanë pësuar rënie në tregjet botërore, rezervat e naftës në nëntokën shqiptare shihen me interes për kompani ndër më prestigjozet në botë. Ky interesim në rritje i kompanive serioze është gjithashtu një konfirmim i suksesit të politikave të ndjekura nga qeveria në zhvillimin e industrisë hidrokarbure”, shton Gjiknuri.

Top Channel