Refugjatët, kërcënon Jordania. Mbreti Abdullah: Jemi në “pikën e vlimit”

02/02/2016 00:00

Për të parën herë e shohim se vërtet nuk ia dalim dot. Jordania, sipas Mbretit të saj Abdullah, është në “pikën e vlimit” nga fluksi i papërballueshëm i qindra mijëra refugjatëve sirianë.

Përpara konferencës së donatorëve për Sirinë, monarku i tha BBC-së se, trysnia mbi shërbimet sociale të vendit, mbi infrastrukturën dhe ekonominë, është e jashtëzakonshme.

“Herët a vonë, diga do të shpërthejë”, paralajmëroi 54-vjeçari, që i kujtoi komunitetit ndërkombëtar se duhet të ofrojë më shumë ndihmë, nëse dëshiron që vendi i tij të vazhdojë t’i mbajë refugjatët.

“Populli është psikologjisht i rënduar dhe mendoj se, situata po shkon drejt ‘pikës së vlimit’. Na dhemb të shohim ç’po ndodh me sistemin arsimor apo me shëndetësinë. Them se, kjo javë do të jetë e një rëndësie kyçe për jordanezët, që të shohin nëse do të ketë ndihmë nga jashtë, jo vetëm për refugjatët sirianë, por edhe për vet të ardhmen tonë”, tha Mbreti Abdullah.

Për ta ilustruar më mirë trysninë e përjetuar nga Jordania, mbreti përmendi valën e më shumë se një milion emigrantëve dhe refugjatëve të përplasur vitin e kaluar në Europë. Pesha e kësaj barre ishte aq e madhe, sa kërcënon sot marrëveshjen e lëvizjes së lirë të “Schengen”-it dhe vet bllokun si projekt politik.

Jordania strehon 635 mijë nga 4.6 milionë sirianët e regjistruar si refugjatë prej OKB-së. Ekzekutivi i atjeshëm flet për mbi një milion sirianë të tjerë, që jetojnë në këtë vend, përfshirë personat e mbërritur përpara shpërthimit të revoltës së 2011-s.

Jordanezët, sipas monarkut, po vuajnë për shkak se 25% e buxhetit shtetëror është shpenzuar për të ardhurit, shërbimet publike janë tepër të ngarkuara dhe një pjesë e njerëzve nuk gjejnë dot punë.

Top Channel