Grevat bllokojnë 5 mijë refugjatë në kufirin greko-maqedonas

02/02/2016 00:00

Në kushte tepër të vështira, kur edhe temperaturat që mbizotërojnë në zonë janë të ulëta, mbi 5.000 refugjatë, midis të cilëve qindra fëmijë të vegjël, janë mbledhur në kufirin greko-maqedonas pranë fshatit Eidomeni, në veri të Greqisë, pasi autoritetet e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, përveç se hapin dhe mbyllin vazhdimisht kufirin, lejojnë të kalojë vetëm një numër i vogël emigrantësh, të cilët deklarojnë në dokumentet e tyre si destinacion Gjermaninë ose Austrinë.

“Po, ka disa tenda, por mendoj se ato janë për gratë dhe fëmijët. Kështu që nuk është e mundur që të strehohen të gjithë këta njerëz në tenda, ndërkohë që nuk ka objekte të tjera këtu pranë. Ndaj ne e kaluam natën në terren. Fjetëm në tokë edhe pse është kaq ftohtë”, tha Sardar, një emigrant nga Iraku.

Një grevë dyditore e marinarëve grekë ka bërë që mijëra refugjatë, që ndodheshin në ishuj, të vijnë brenda 24 orëve me më shume se 100 autobusë, pas mbërritjes së tyre në Portin e Pireut drejt korridorit ballkanik. Por, edhe aty një grevë e taksistëve maqedonas, që kanë bllokuar shinat e trenit, pengon lëvizjen e tyre drejt vendeve të Europës Qendrore.

“Ne do të qëndrojmë këtu deri në fund, deri sa dikush nga autoritetet të vijë këtu dhe të arrijmë një marrëveshje, e cila do të na lejojë të bëjmë transportimin e refugjatëve prej këtu në Tabanoc të Serbisë”, tha Goran, një shofer taksie.

Greva e përgjithshme 24 orëshe e së enjtes në Greqi dhe mbyllja për disa orë e rrugëve nacionale të vendit, nga fermerët që vazhdojnë protestën e tyre, vlerësohen se do ta pengojnë transportimin e emigrantëve nga Pireu dhe do të përkeqësojnë situatën në kufirin greko-maqedonas.

Qeveria greke ka njoftuar se, shumë shpejt në Sindos, në periferi të Selanikut do të funksionojë një nga dy kampet e mëdha, që do të japë ushtria për strehimin e mijëra refugjatëve.

Top Channel