Kosovë, komisioni kërkon shpjegime nga AKI për sigurinë në vend

02/02/2016 00:00

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ka vendosur të thërrasë përfaqësues të Kundërzbulimit, për të informuar deputetët për ngjarjet e fundit në vend, që lidhen me disa kërcënime në xhaminë e Drenasit dhe arrestimin e personave të dyshuar në afërsi të Manastirit të Deçanit.

Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli tha se nuk kanë asnjë informacion nga AKI-ja rreth ngjarjeve të fundit, por janë informuar vetëm nga mediat.

Edhe deputeti i “Listës Serbe”, Nenad Rashiç ka kërkuar që të informohen për disa raste, por në veçanti, ai kërkoi informacione për arrestimin e 4 personave afër Manastirit të Deçanit, pas dyshimeve të hedhura nga priftërinjtë për sulme me sfond islamik.

Ndaj kësaj kërkese reagoi deputetja Tërmkolli, e cila kërkoi nga Rashiç, që të mos politizojë dhe paragjykojë asnjë rast. Por deputeti Rashiç tha se, nuk pati për qëllim politizimin e këtyre ngjarjeve, kur i përmendi ato, por tha se i ka marrë vetëm si shembuj.

Drejtuesja e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, deputetja Duda Balje tha se, sipas kërkesës së deputetëve do të kërkojnë që dikush nga AKI-ja të paraqitet dhe të raportojë në mbledhjen e ardhshme të komisionit parlamentar.

Top Channel