Prishtinë, zgjedhjet në universitetin “Hasan Prishtina”

02/02/2016 00:00

Në Universitetin Publik “Hasan Prishtina” të kryeqytetit kosovar po zhvillohen zgjedhjet për emërimin e dekanëve në 13 fakultete.

“Deri më tani procesi ka shkuar shumë mirë. Asnjë vërejtje nuk ka pasur gjatë zbatimit të procedurave dhe të mërkurën pritet që të votohet edhe në 4 fakultete, për të përfunduar procesi i zgjedhjes së dekanëve”, tha Esat Kelmendi, sekretar i Përgjithshëm i UP-së, anëtar i KQZ.

Dekanët e zgjedhur përfaqësojnë fakultetet në Senatin e Universitetit, i cili do të strukturohet të enjten. Ndërsa të premten hapet oferta për kandidatët e interesuar për anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së, që ka për detyrë emërimin e rektorit të ri. Ky këshill duhet të ketë 9 anëtarë, 4 prej të cilëve emërohen nga Ministria e Arsimit.

Për zgjedhjen e rektorit do të hapet konkurs publik, ndërsa për emërimin e tij duhen së paku 5 vota nga 9 anëtarët e këshillit.

Zgjedhjet në UP erdhën si pasojë e problemeve të vazhdueshme, të cilat u shoqëruan edhe me protesta.

“E kam ditur, që më pret një punë shumë e madhe. Për mua, ky nuk është thjesht një post, por është më shumë përgjegjësi, detyrë. Do të përpiqem që të sigurojmë kushte më të mira pune për fakultetin tim dhe për studentët e këtij fakulteti”, tha Lindita Rugova, dekane e sapozgjedhur në Fakultetin e Filologjisë.

Në fund të vitit të kaluar, Këshilli Drejtues i UP-së mori vendim për shkarkimin e rektorit aktual, Ramadan Zejnullahu, një akt që u cilësua politik dhe shkaktoi reagime të shumta në përkrahje të rektorit në opinionin publik. Një ditë më pas, ky vendim u shfuqizua nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Top Channel