Maqedoni, Zaev: VMRO dhe BDI nuk dëshirojnë zgjedhje demokratike

02/02/2016 00:00

Kryetari i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev deklaroi se, nuk sheh gatishmëri te dy partnerët e koalicionit qeveritar në Shkup, VMRO-DPMNE dhe BDI, për organizimin e zgjedhjeve demokratike.

Ai bëri të ditur se, partia e tij ka firmosur metodologjinë e propozuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor për pastrimin e listës zgjedhore, duke shtuar se, pa pastrimin e saj dhe pa reformimin e mediave është e pamundur që të organizohen zgjedhje korrekte.

“Për Republikën e Maqedonisë, prioritet është organizimi i zgjedhjeve demokratike, por te partnerët e koalicionit, VMRO dhe BDI, nuk shoh gatishmëri për një gjë të tillë. Zgjedhje korrekte nuk mund të kemi pa pastrimin e tërësishëm të listës zgjedhore dhe pa media të lira, ku do të kishin hapësirë të gjitha partitë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Pas një takimi që pati me drejtuesit e koalicionit “Aleanca për shqiptarët”, Zijadin Sela dhe Vesel Mehmeti, kreu i opozitës Zaev përsëriti qëndrimin se partia e tij do të bojkotojë zgjedhjet e parakohshme nëse mbahen më 24 prill.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i partisë shqiptare në pushtet BDI, Ali Ahmeti tha se zgjedhjet nuk mund të shtyhen pa marrëveshje të re mes forcave kryesore politike në vend.

“Për të ndryshuar datën nevojitet një vendim konsensual i të gjitha partive politike në vend. Ne kemi dhënë arsyet tona, se përse nuk duhet të bisedohet dhe të rinegociohet marrëveshja e arritur më 2 qershor”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Kreu i BDI-së kundërshton shtyrjen e datës së zgjedhjeve, pasi – sipas tij, – një gjë e tillë do të thellonte krizën politike në vend.

Top Channel