Barazimi virtual me Sanders, kambanë alarmi për Clintonin

02/02/2016 00:00

Vuajtja e Hillary Clintonit në Iowa për të mposhtur kandidatin e konsideruar me pak mundësi për të fituar, Bernie Sanders, i vetëquajtur socialdemokrat, ngriti edhe njëherë pikëpyetjet në lidhje me aftësitë e saj për të mbyllur “hesapet” me votuesit demokratë dhe për ta kthyer vëmendjen nga presioni edhe më i madh, me të cilin do të përballet gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë.

Pretendentja për të marrë nominimin e demokratëve, fushata e së cilës doli nga “binarët” në Iowa gjatë vitit 2008 kundër Presidentit aktual Barack Obama, mori një tjetër goditje këtë të hënë në shtetin e zonës qendrore, nga ku nisi edhe gara paraprake për Presidencialet e 2016-s.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, 68-vjeçarja Clinton arriti të fitonte me vetëm 0.3 pikë përqindjeje (49.9 për qind kundrejt 49.6%, pas numërimit të 97% të votave) në atë që konsiderohet si një barazim virtual me Sandersin, një senator 74-vjeçar nga Vermonti.

Fushata tashmë do të zhvendoset në New Hampshire, ku do të zhvillohen zgjedhjet primare më 9 shkurt. Sander ka qenë kryesues i sondazheve të zhvilluara atje dhe ka një avantazh edhe për shkak se ky shtet është fqinj me vendlindjen e tij. Një humbje e mundshme e Clintonit do të shkaktonte kambana alarmi te mbështetësit e saj.

“Ajo ka pasur çdo avantazh të mundshëm strukturor dhe organizativ, por Sanders e luftoi dhe arriti të merrte një barazim”, tha Dan Schnur, drejtor i Institutit të Politikave “Jesse M. Unruh” në Universitetin e Kalifornisë Jugore. “Nga momenti në moment, kjo mund të duket si një përsëritje e vitit 2008, – shtoi Schnur. – “Diferenca është se konkurrenca e saj nuk është aq e ashpër këtë herë”.

Në fjalimin e saj pas votimit në Iowa, Clinton këmbënguli se ajo është kandidatja e duhur që mund të unifikojë partinë e saj dhe të dominojë kundrejt një sfidanti republikan më 8 nëntor, por ndjenja e zhgënjimit ishte e dukshme. Fjalimi i saj “i nënshtruar” që zgjati 6 minuta, pati një kontrast të qartë me fjalimin 16-minutësh të Sanders me tone të papërmbajtura.

Top Channel