Bombolat, një treg pa kontroll. Asnjë dorëheqje tek Inspektoriati Teknik

02/02/2016 00:00

Ajo që ka zbuluar Inspektoriati Shtetëror Teknik, pas këqyrjes së vendit ku ndodhi shpërthimi i gazit në fshatin Beragozhd të Pogradecit, është në përgjegjësinë e tij për ta parandaluar.

Arian Goshi, drejtor i inspektimit të pajisjeve nën presion, thotë se, në ambientet e brendshme të lokalit ku ndodhi shpërthimi gjendeshin 6 bombola gazi, një prej të cilave jashtë çdo standardi përdorimi.

“Nuk lejohet vendosja e bombolave në ambientet e brendshme të lokaleve. Ato duhen vendosur në ambientet e jashtme, në atë që quhet bateri bombolash, të lidhura në seri me tuba bakri. Bombolat ishin pronë e vet pronarit të lokalit, të cilat, sa herë e shihte të nevojshme në varësi të konsumit, i mbushte në zonën më të afërt. Në kushte të tilla të kolaudimit, është logjike që prej vjetërsisë të ketë pasur plasaritje dhe më pas të jetë çarë, nga ku edhe ka dalë gazi”, tha Arian Goshi.

Si në çdo reagim, kur ndodhin ngjarje si shpërthimi në Pogradec, përgjegjësit e Inspektoriatit Shtetëror Teknik paralajmërojnë masa të rrepta për shkelësit e ligjit. Por, përsëritja e këtyre ngjarjeve tregon se kontrolli në terren mungon.

Pyetjes së Top Channel se, përse në këtë situatë drejtuesit e Inspektoriatit nuk marrin përgjegjësitë e tyre, ata iu përgjigjën:

“Është ashtu siç thoni ju, që ngjarjet po përsëriten. Duke qenë në një situatë të tillë, kur kjo ngjarje nuk është e vetmja por kemi përsëritje, po kërkojmë të gjejmë një zgjidhje”, tha Robert Gjylameti, drejtor i Shërbimeve të Brendshme në IQT.

E megjithatë, ligji është më i qartë sesa përgjegjësit e Inspektoriatit Teknik. Ai ndalon vendosjen dhe shfrytëzimin e bombolave me gaz nën presion, në lokalet e shërbimit për publikun, si restorante, teatro, kafe, kinema etj.

Top Channel