Integrimi, Gjosha: Reforma në drejtësi kyçe; i hap rrugën negociatave

02/02/2016 00:00

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti këtë të martë në një takim Sekretaren e Shtetit për Zhvillim e Bashkëpunim të Suedisë, Ulrika Modeer. Në këtë takim u diskutua për ecurinë e reformave dhe 5 prioritet që Shqipërisë i janë dhënë për t’u plotësuar nga Komisioni Europian.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Gjosha ka falënderuar Modeer për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që shteti suedez i ka dhënë Shqipërisë në proceset e integrimit.

Po ashtu, ministrja e Integrimit uroj që reforma më e rëndësishme, ajo e drejtësisë, të miratohet sa më shpejtë në Parlament, në mënyrë që vendit tonë t’i hapet rruga e çeljes së negociatave me BE-në.

“Unë shpresoj shumë që gjatë muajve në vijim të kemi një dialog politik për reformën, miratim të saj në Parlament, sepse siç e kam thënë gjithmonë vendet anëtare dhe qytetarët shqiptarë presin që me anë të kësaj reforme t’i hapet rruga Shqipërisë për çeljen e negociatave, pse jo edhe brenda këtij viti”, deklaroi Gjosha.

Nga ana tjetër, Sekretarja e Shtetit për Zhvillim e Bashkëpunim, Ulrika Modeer, deklaroi se Suedia vazhdon të ndjekë nga afër ecurinë e reformës në drejtësi si dhe të mbështes integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Jam e lumtur të dëgjoj për progresin që keni shënuar me 5 prioritetet kyçe. Së bashku me Komisionin Europian, kemi ndjekur atë çka ka bërë nga afër Shqipëria dhe mbështesim si zgjerimin e BE-së ashtu edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha ajo.

Po ashtu, në terma ekonomikë, Modeer u shpreh se Suedia është një partnere afatgjatë e Shqipërisë, duke mbështetur vendin tonë edhe në shumë fusha të tjera.

Top Channel