“Zika”, në SHBA zbulohet një rast transmetimi përmes marrëdhënieve seksuale

03/02/2016 00:00

Një rast i rrallë i infektimit nga virusi “Zika” përmes marrëdhënieve intime është raportuar në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore të zonës.

Pohimin, se pacienti i prekur nga virusi shkaktar i mikrocefalitit te foshnjet mund të jetë infektuar përmes kontaktit seksual dhe jo pickimit të një mushkonje, e bënë drejtues të Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve.

Kaq u desh që të bien kambanat e alarmit. “Zika” e bartur nga mushkonjat konsiderohet përgjegjëse për lindjen e mijëra bebeve me tru të pazhvilluar mirë. Deri më tani besohet gjerësisht se, mënyra e vetme e përhapjes së saj ishin këto insekte, por nëse virusi mund të transmetohet edhe në rrugë seksuale, atëherë ndryshon e gjithë panorama e atij që kërcënon të kthehet në një shpërthim pandemik, në një botë të papërgatitur për këtë sëmundje të re.

Ka shumë pyetje mbi këtë virus, që kërkojnë përgjigje, por frika më e madhe lidhet me faktin që 80% e të infektuarve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ritmi i shpejtë i përhapjes së sëmundjes, sidomos në vendet e Amerikës Latine, shtyu Organizatën Botërore të Shëndetësisë të vendosë emergjencën lidhur me “Zikën”, në të njëjtin plan me atë që vuri Ebolën kohë më parë.

Kryqi i Kuq amerikan u kërkoi dhuruesve të gjakut, që kthehen nga vendet e goditura prej sëmundjes, të presin 28 ditë përpara se të dhurojnë gjak. Ndërkohë Brazili, shteti nga ku shpërtheu infeksioni, pohoi se është duke hetuar gati 4.000 raste të dyshuara mikrocefaliti te foshnjet, që mund të jenë pasojë e virusit përgjegjës të defekteve të tmerrshme në lindje.

“Ne tani e dimë se virusi ‘Zika’ mund të transmetohet ndërmjet marrëdhënieve seksuale, kjo e rritë fushatën tonë për ndërgjegjësim dhe edukimin e publikut për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, tha pas konfirmimit të rastit të fundit një zyrtar i shëndetësisë në Dallas.

Top Channel