Për herë të dytë brenda një jave sindikatat e gazetarëve në Greqi kanë shpallur një grevë të përgjithshme 24-orëshe.

Prej orës 6 të mëngjesit të së mërkurës, kanalet televizive, radiofonike dhe agjencitë e informacionit nuk transmetojnë asnjë lajm. Greva zhvillohet një ditë para grevës së madhe të përgjithshme që kanë shpallur gjithë sindikatat greke të sektorit publik dhe atij privat, të cilat protestojnë kryesisht për projektligjin e ri të pensioneve që kërkon të aprovojë qeveria nën presionin e kreditorëve.

Nga ana e tyre, edhe gazetarët kërkojnë nga qeveria ruajtjen e skemës së tyre të pensioneve ETAP MME ,e cila përbën një nga entet më të fuqishme dhe të suksesshme në vend, por që me ligjin e ri do të shkrihet dhe do të bashkohet me entin e vetëm të sigurimeve që do të përfshijë të gjithë të punësuarit në Greqi (IKA) dhe kjo do të sjellë, sipas tyre, edhe reduktime të reja në pensione.
 
Ata kërkojnë gjithashtu që të mos hiqet taksa mbi reklamat që paguajnë të gjitha palët e interesit në favor të skemës së tyre të pensioneve si dhe ruajtjen e organizmit të përkujdesjes shëndetësore për gazetarët, EDOEAP.

Vlen të përmendet se në vitet e krizës papunësia në radhët e gazetarëve në Greqi ka shkuar në masën 60%, ndërsa është rritur puna në të zezë dhe pagat e ulta në portalet e ndryshme të informacionit, në të cilat vërehet edhe mungesa e deontologjisë dhe e profesionalizmit.

Top Channel