Refugjatët, Gjermania shton me 500 mln euro kontributin ndaj UNHCR-së

03/02/2016 00:00

Gazeta gjermane “Rheinische Post” ka shkruar këtë të mërkurë se, qeveria federale e vendit do ta shtojë kontributin e saj për UNHCR-në me 500 milionë euro. Shuma në fjalë e çon në gati 1,5 miliardë euro angazhimin total financiar të Berlinit ndaj agjencisë së OKB-së për refugjatët.

Sipas “Rheinsiche Post”, njoftimin e bëri kancelarja Angela Merkel, gjatë ndalesës së saj në Londër, duke e argumentuar një vendim të tille me nevojën për të shtuar ndihmën ndaj të prekurve nga konflikti i Sirisë.

Konferenca e parashikuar të mbahet mbi këtë temë të enjten, edhe pse zhvillohet në kryeqytetin e Britanisë, ka për organizatorë – përveç Londrës vet – edhe Gjermaninë, Kuvajtin, Norvegjinë e Kombet e Bashkuara.

Vërshimi i më shumë se një milion emigrantëve në Gjermani gjatë 2015-s e vuri Merkelin nën një presion të jashtëzakonshëm, si të kundërshtarëve politikë, ashtu dhe të aleatëve të pakënaqur me politikën e saj të dyerve të hapura.

Këtë fundjavë, shefja e ekzekutivit gjerman u përpoq t’i siguronte anëtarët e shqetësuar të partisë së saj, Unioni kristiandemokrat “CDU”, se refugjatëve u duhet bërë e qartë që situata e tyre është e përkohshme dhe kur në Siri të sundojë sërish paqja, ata mund të kthehen mbrapsht.

“Ne duhet t’u themi njerëzve se, statusi i tyre rezidencial është i përkohshëm dhe, kur situata në Siri të qetësohet e kur Shteti Islamik të jetë mposhtur atje dhe në Irak, ne presim që ata të kthehen në vendlindje me njohuritë e marra këtu”, ka thënë Merkel.

Për të ilustruar më mirë propozimin e saj, kancelarja solli si shembull refugjatët e mbërritur në Gjermani gjatë viteve ’90 nga ish-Jugosllavia, 70% e të cilëve u kthyen më pas në shtëpitë e tyre.

Top Channel