Kamerat “kapin” ryshfetin, arrestohet një person në Tiranë

03/02/2016 00:00

Policia e Shtetit ka shpërndarë pamjet video të arrestimit të një drejtuesi automjeti në Tiranë, që tentoi të korruptonte policët në shërbim. I gjithë akti është filmuar nga kamerat e vendosura në uniformën e punonjësve të policisë. Këta të fundit e kanë ndaluar personin.

Gjithashtu është shpërndarë edhe pamja e heqjes së patentës për shkelje të rregullave për shpejtësinë të një avokati, po në kryeqytet. Në total, Policia e Shtetit njofton se gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë arrestuar e ndaluar 26 persona për vepra të ndryshme penale.

Konkretisht, 6 të tillë që ishin shpallur në kërkim; 7 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor; 5 persona për vjedhje të energjisë elektrike dhe vjedhje të pronës private; 5 persona për dhunë në familje, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë; 3 persona për trafiqe të paligjshme dhe narkotikët.

Janë vendosur 298 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor dhe janë pezulluar 4 leje drejtimi e bllokuar 3 automjete pa dokumentacion përkatës. Edhe në ditët në vazhdim, Policia e Shtetit do vijojë punën me shërbime të përforcuara, duke ngritur pika kontrolli në akset rrugore, duke zhvilluar kontrolle të lokaleve të natës dhe atyre të frekuentuara nga persona me precedentë penalë, për të parandaluar paligjshmërinë në vend dhe krijuar një ambient e shoqëri më të sigurtë.

Top Channel