Eva Kushova – Kapitalizmi vetvetiu nxit një garë, ku të aftët përparojnë, shkollohen, bëjnë karrierë, pasurohen, ndërsa të paaftët dhe të pamundurit ngelen pas. Por edhe në komunizëm, ku është rritur një pjesë e brezit tonë, shpirti i garës ekzistonte: në mësime, në shpalljen të dalluar etj., pavarësisht se kjo nuk ndryshonte gjë në mënyrën e jetesës, ku thuajse të gjithë ishim njësoj. Por të paktën njerëzve të zotë nuk ua hante askush hakun.

Në vitet e para të demokracisë, ku çdo gjë e re përqafohej me etje, kur u shfaqën bizneset e para dhe gara e ekonomisë së tregut sa vinte e forcohej, të aftët nisën të dilnin në krye. Shumë njerëz, falë zotësisë dhe punës, arritën të ndryshonin katërcipërisht jetesën e tyre. Të gjithë ishim pjesë e garës. Dhe fitoret kishin kuptim.

Por duket se dekadën e fundit në Shqipëri, fjala garë ka humbur tërësisht konceptin e saj që nga maja e shoqërisë e deri në fund. Është krijuar një elitë drejtuese pa garë, e cila në realitet urrehet nga qytetarët shqiptarë dhe akuzohet përditë me fjalët më fyese në mediat sociale, atje ku njerëzit e zakonshëm kanë mundësi të shprehen. E megjithatë, kjo pseudoelitë dikton jetët tona, na vjel taksa, na merr çdo pronë publike, na merr parqet, ajrin, frymën. Është një pakicë që na ka rrëmbyer të ardhmen dhe askush nuk ka të drejtë t’i konkurrojë, t’i mposhtë, t’i largojë. Janë krerët feudalë të partive tona elektorale. Janë sheikë brenda oborrit të tyre dhe nuk pranojnë askënd të vihet në garë me ta.

Në PD, kreu i partisë thuajse u zgjodh me testament dhe jo me garë. Në PS, prej ditësh një zë i lirë si Blushi po thërret se prej shtatë vitesh nuk bëhen zgjedhje në këtë parti, por askush nuk merret me demokracinë e brendshme të munguar, ndërkohë që akuzat ngrihen ndaj atij që kërkon këtë demokraci të funksionojë. LSI-ja, partia më e re, u duk sikur solli një risi kur u krijua, në statutin e së cilës përcaktohej se kreu i partisë nuk do të qëndronte më shumë se dy mandate. Por, gjithçka shpejt ndryshoi dhe sot kjo parti me të drejtë konsiderohet si parti familjare ose një “ndërmarrje shpk”. Kur japin këtë model partitë e mëdha, s’mund të flasim për parti të tjera, emrat e të cilave askush nuk i mban mend, sepse identifikohen vetëm me liderin e tyre. Janë të njëjtët njerëz që na përgatisin reformat zgjedhore, që organizojnë zgjedhjet dhe numërojnë votat. Këta “feudalë”, në çdo prag zgjedhor, na imponojnë njerëzit e tyre, figura që nuk i duam, nuk i njohim, shpesh “kriminelë”, siç rezultoi Parlamenti i fundit. Thjesht ne votojmë “ushtarët e tyre”, që ata i përdorin për të vjedhur çdo pasuri publike, në mënyrë që t’u kthejnë mbrapsht nderin emëruesve në detyrë. Ky rreth vicioz ka krijuar një mur të trashë që nuk lejon asnjë të çarë nga mund të hyjë një zë i huaj. Aq fort e ruajnë partitë kryesore këtë mur, sa janë gati të bashkëpunojnë në çdo kohë, në dëm të interesave të qytetarëve dhe në dëm të së ardhmes së vendit, vetëm e vetëm që askush tjetër të mos hyjë në rrethin e tyre. Ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës i grupit “Ne Tirana” ka bërë së fundi një thirrje të dëshpëruar për bashkim kundër kësaj elite, por reagimet ishin jo aq entuziaste.

Habia e madhe është se edhe vetë shqiptarët nuk duket se e pranojnë dot hyrjen në skenë të ndonjë politikani apo ndonjë grupimi tjetër. I kanë pranuar këta që janë dhe argëtohen ose acarohen duke dëgjuar intrigat e tyre, duke u bërë pjesë e historive që kjo sërë politikanësh hedh në tregun mediatik çdo ditë, por pa mundur të kërkojnë apo të përqafojnë një alternativë tjetër.

Mediat, një pjesë e të cilave të paguara prej tyre, kanë zënë pozicionet mbrojtëse, duke u ruajtur krahët dhe duke krijuar murin e dytë të trashë, ku nuk lejohen të hyjnë zërat e gazetarëve të lirë që e konsiderojnë këtë elitë njësoj të korruptuar e të padenjë për të qeverisur shqiptarët. Thirrjet e Lubonjës se Shqipërisë i duhet një lëvizje e re politike, shumica e qytetarëve i ka shpërfillur. Po kështu sfumohen shpejt dhe lajmet investigative të disa mediave si BIRN, që i implikojnë njësoj politikanët e dy krahëve. Duket se shqiptarët i janë nënshtruar modelit të imponuar nga lart dhe e pranojnë në heshtje që nuk ka vend për garë. Ajo është e mbyllur. Thonë ky vend nuk bëhet, ndaj dhe marrin rrugët. Ne që mbetemi këtu çdo vit elektoral duhet të zgjedhim një prej këtyre ‘të këqijave’ që na ofrohen. Ky model antidemokratik ndihet në çdo fushë deri në pikën fundore të shoqërisë. Shpirti i garës ka vdekur: në tenderë, në aplikime për punë; në ngritje në karrierë, në studime, në shkolla, kudo. Për fat të keq, po. Aq sa duket se shpresa e vetme për të ‘rikthyer’ demokracinë në këtë vend janë ambasadorët, pra një zgjidhje e huaj, nga jashtë – një deus ex machina.

Gazeta “Shqip”

Top Channel