Basha: Urgjent Byroja e Hetimit, të futet në axhendën e Kuvendit

03/02/2016 00:00

Partia Demokratike kaloi nga thirrjet publike, te veprimet konkrete për Byronë Kombëtare të Hetimit, njësisë speciale të sponsorizuar nga amerikanët për të luftuar korrupsionin në nivele të larta. Të enjten, opozita do të kërkojë futjen e ligjit në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar.

“Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të futet në rendin e ditës ditën e enjte. S’ka mbetur gjë tjetër për t’u rakorduar, gjithçka është rakorduar dhe taksapaguesit amerikanë, përmes ndërhyrjes së çmuar të ambasadorit Lu dhe qeverisë amerikane, kanë vënë në dispozicion miliona dollarë, gati për të trajnuar prokurorët dhe punonjësit e policisë, që do të jenë pjesë e kësaj strukture për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë. Po për këtë çfarë presin, pse vonohet?”, deklaroi Lulzim Basha.

Përgjigjja që pret Lulzim Basha është një provë e drejtpërdrejtë për Edi Ramën, të cilin e akuzon edhe se është pengesa reale e reformës në drejtësi.

“Loja me ekspertët mbaroi. I madh e i vogël, të gjithë faktorët politikë në vend, partnerët ndërkombëtarë e kanë kuptuar se ku ka mbetur sharra në gozhdë. Gozhda është Edi Rama, i cili me çdo kusht do, ose të kapë drejtësinë, ose jo reformë në drejtësi”, u shpreh Basha.

Megjithatë, Lulzim Basha nuk tërhiqet nga ftesa për të realizuar me konsensus reformën në drejtësi, njësoj si me dekriminalizimin.

“Ndaj t’i lëmë llafet, të ulemi, t’u japim shqiptarëve një drejtësi të reformuar. Përndryshe barra e përgjegjësisë për këtë dështim është qartësisht e Edi Ramës dhe kupolës së tij”, përfundoi Basha.

Top Channel