Martanesh, 60 familje në rrezik. Pallatet po shemben

03/02/2016 00:00

Banorët e 5 pallateve të ndërtuar në vitet ’70 ne Martanesh rrezikojnë të mbeten të pastrehë, si dhe të rrezikojnë jetën, nëse vazhdojnë të qëndrojnë brenda banesave të tyre.

Janë 60 familje që jetojnë në këto ndërtime të amortizuara në maksimum. Një pjesë e apartamenteve janë braktisur, ndërsa uji, koha dhe mosmirëmbajtja po shkatërron edhe muret e ndërtimit.

“Kudo në shtëpi mbizotëron lagështira, çfarë bie në tarracë hyn brenda në shtëpi dhe depërton deri në katin e mëposhtëm. Më keq se pallati ynë nuk mund të ketë”, thotë Hysnie Daxha, banore.

“Pallati është i shkatërruar nga të katër anët, nga jashtë e nga brenda. E nëse bie edhe tërmeti më i vogël, ky pallat shembet”, thotë Rruzhdi Demiri, banor.

“Të ngrihet sa më parë grupi i emergjencës, sepse ky pallat është i pabanueshëm. Këtu rrezikohen jetë njerëzish. Ky është një skandal. Rrezikojmë vet ne, rrezikojnë fëmijët tanë të vriten. Jemi të vdekur”, tha Agron Leti, banor.

Administratorët e njësisë Martanesh thonë se, situata është e rrezikshme dhe se ata kanë kërkuar ndërhyrje.

“Ai pallat është i pabanueshëm. Ne si njësi administrative kemi bërë kërkesë bashkisë, Entit të Banesave për më shumë fonde, për ta rikthyer atë në të banueshme. Ju e patë vet gjendjen”, tha Mehmet Kurti, zv.administrator i njësisë Martanesh.

Top Channel