Llalla: Durrësi, kryeqendra e krimit. Organizatat kriminale po sfidojnë shtetin

03/02/2016 00:00

Ngjarjet e rënda kriminale, vrasjet e ndodhura në qytetin e Durrësit kanë si motiv trafiqet e drogës, si dhe përfitime të padrejta të pronës e thënë ndryshe, gjobëvenie, apo shtrëngim për të dorëzuar pasurinë.

Kjo është konfirmuar nga kryeprokurori Adriatik Llalla gjatë analizës së Prokurorisë së Durrësit, Elbasanit, e Kavajës. Kryeprokurori u ndal veçanërisht në ngjarjet e ndodhura në qytetin e Durrësit, kur përmendi këtë lloj arsye se përse këto krime po ndodhin.

“Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se vrasjet e ndodhura në qendër të qytetit janë rrjedhojë e përplasjeve për trafikun e lëndëve narkotike, si edhe për përfitime të padrejta të pronës. Janë disa grupe kriminale që dyshohet se veprojnë në zonën e Durrësit, të cilët tashmë po tentojnë hapur të sfidojnë autoritetin e shtetit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale”, tha Llalla.

Llalla shton se duhet të zbulohen motivet e vrasjeve dhe përplasjeve të tjera me pasoja të rënda.

Kjo është deklarata që Kryeprokurori bëri para prokurorëve, ndërkohë që në njoftimin e shpërndarë nga prokuroria, është vendosur një paragraf, sipas të cilit Llalla ka deklaruar se “janë disa grupe kriminale që dyshohet se veprojnë në zonën e Durrësit, të cilët tashmë po përpiqen hapur të sfidojnë autoritetin e shtetit për të realizuar qëllimet e tyre kriminale”.

Gjithashtu, vetëm në njoftim thuhet se prokurori Llalla deklaroi se “Prokuroria e Përgjithshme e kupton mësë miri se kjo është një sfidë e vështirë, pasi grupet kriminale kanë aftësinë që të bashkëpunojnë me zyrtarë publikë dhe hetimet jo gjithnjë ecin me ritmin e duhur”.

Qyteti Durrësit është tronditur nga disa ngjarje të rënda. Në fund të vitit 2015, dy të rinj, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj u vranë sapo dolën nga një kafene. Pak ditë më vonë, shtetasi Gazmend Çollaku u rrëmbye nga disa persona me uniforma policie e më pas u gjet i vrarë në një fshat të Krujës. Të dyja këto ngjarje, u tha nga Policia e Shtetit se kishin ndodhur për shkaqe që lidheshin me drogën.

“Kërkohet prej jush një impenjim më i madh në evidentimin e interesave pasurore të personave të dyshuar si anëtarë të këtyre grupeve kriminale. Prokuroria e Përgjithshme e kupton më së miri se kjo është një sfidë e vështirë, pasi grupet kriminale kanë aftësinë që të bashkëpunojnë me zyrtarë publikë dhe hetimet jo gjithnjë ecin me ritmin e duhur”, ka thënë ai.

Kritika per prokuroritë e këtyre zonave, kryeprokurori kishte edhe numrin e ulët të referimeve të krimit financiar në dogana e tatime. Prokuroritë po bëjnë një punë të mirë në lidhje me hetimin e pastrimit të parave, por kryeprokurori kërkoi kujdes nga prokuroria e Kavajës për çështjen e ndarjes së tokave në bregdet.

Top Channel