Hapet gjyqi ndaj DIA-s, OSHEE kërkon 8 milionë euro dëmshpërblim

03/02/2016 00:00

Ka nisur me shtyrje procesi kundër Kastriot Ismailajt, administrator i kompanisë “DIA”, nën akuzë për “mashtrim” me vlerën e 5 milionë eurove dhe “pastrim parash”.

Shkak u bë mosformimi i trupës gjyqësore, pasi një ditë më parë relatorja Enkelejdi Hajro dha dorëheqjen nga gjykimi, duke qenë se më herët, ajo kishte pasur nën shqyrtim një dosje për kompaninë “CEZ”.

E zgjedhur brenda 24 orësh me short, si drejtuese e trupës gjyqësore, gjyqtarja Vjollca Spahiu tha se do t’i kërkojë kryetarit të gjykatës plotësimin edhe me një anëtar tjetër.

Në një kohë që Prokuroria e akuzon Ismailajn, administrator i dy kompanive që kishin si aktivitet mbledhjen e borxheve të “CEZ”-it, OSHEE ka depozituar në gjykatë një padi civile, me anë të së cilës kërkon të dëmshpërblehet nga i pandehuri me shumën e rreth 8 milionë eurove.

Në padinë civile, OSHEE i thotë gjykatës që Ismailaj duhet ta paguajë shumën, për shkak të mashtrimit të kryer gjatë lidhjes së kontratave për mbledhje të debive, si dhe ta dëmshpërblejë për dëmin e shkaktuar nga procesi i arbitrazhit.

“Në lidhjen e kontratës së parë ka paraqitur një dokumentacion në emër të DIA-s, në mars-prill 2010, pa u krijuar DIA, dhe në emër të një kompanie austriake, që nuk e ka bërë këtë veprim, e njëkohësisht nuk ka qenë me atë emër”, tha Romeo Kara, jurist i OSHEE-së.

Avokati i Ismailajt kërkoi që të njihet me padinë civile, ndërsa e konsideroi “nul” procesin hetimor.

“Është filluar përpara se të shfuqizohet vendimi i pushimit. Kjo është edhe surpriza, apo qershia mbi tortë”, u shpreh Vladimir Meçe.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, Kastriot Ismailaj krijoi shoqërinë fiktive “ADC” dhe, pa zhvilluar asnjë aktivitet, ka kryer transaksione në vlerën e 9,8 milionë eurove. Ndërkohë që në rastin e shoqërisë “DIA”, administratori i saj ka lidhur kontratë me “CEZ” për të mbledhur borxhet, duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive.

Top Channel