Liberalizimi i fluturimeve, Ahmetaj: Mbyllëm bisedimet; Marrëveshja nuk publikohet

03/02/2016 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi këtë të mërkurë se, qeveria shqiptare ka arritur marrëveshjen për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare me koncesionarin e Aeroportit “Nënë Tereza”, që do të çonte në uljen e tarifave dhe, për pasojë, edhe të çmimit të biletave për qytetarët shqiptarë.

“Ministria e Transporteve dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik kanë firmosur pjesën e tyre të marrëveshjes për liberalizimin. Dua të ndaj me ju, faktin që dokumenti gjendet për procedurë në bordin e koncesionarit, për të ardhur në qeveri e më pas në Parlament, sepse është mbyllur me sukses negociata, është realizuar heqja e ekskluzivitetit me rreze 100 km, duke përjashtuar Vlorën. Pra, Vlora, Kukësi dhe çdo lloj aeroporti tjetër mund të jetë ndërkombëtar”, tha Arben Ahmetaj.

Top Channel kërkoi të njihet me detajet e kësaj marrëveshjeje, por Ministria e Transporteve shprehet se, mungon një dokument dhe se, nuk ka dijeni për një marrëveshje të tillë. Ndërsa zyrat vartëse të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik shprehen se është Ministria e Transporteve, ajo që disponon marrëveshjen.

Top Channel