PE diskuton për progresin e Kosovës, heqja e vizave ende larg

03/02/2016 16:50

Parlamenti Europian debatoi raportin e radhës të proceseve integruese të Kosovës të hartuar nga raportuesja Ulrike Lunacek. Raporti thekson arritjet që Kosova ka bërë, por gjithashtu edhe sfidat e mëdha që ka përpara, ku theksohet lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

Parlamenti Europian debatoi raportin e radhës të proceseve integruese të Kosovës të hartuar nga raportuesja Ulrike Lunacek. Raporti thekson arritjet që Kosova ka bërë, por gjithashtu edhe sfidat e mëdha që ka përpara, ku theksohet lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

“Kosova është shteti më i ri në Europë dhe po punon shumë për ta konsoliduar demokracinë. Vitet e fundit është bërë shumë progres, si për shembull në dialogun me Beogradin, por jo në nivel të kënaqshëm. Ajo që ka bërë Kosova deri më tani nuk mjafton”, u shpreh Ulrike Lunacek, raportuese e PE për Kosovën.

Në fjalën e saj, raportuesja i ka bërë një apel edhe partive politike në Kosovë, që të ulen dhe të gjejnë rrugën e dialogut. Lunacek ngulmoi që Komisioni Europian sa më shpejt të shqyrtojë liberalizmin e vizave për Kosovën, një vend që sipas saj ka mbetur i izoluar në mes të Europës, ndërsa të gjithë fqinjët e saj mund të lëvizin lirisht. Në të njëjtin kuadër, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian tha se Kosova ende nuk ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave.

“Janë 8 kritere që duhet të plotësohen. Kosova po punon fort në përmbushjen e kritereve dhe ne shpresojmë që t’i plotësojë. Edhe njëherë e theksoj se duhet punuar ende”, tha Johannes Hahn, Komisioner për Zgjerimin i BE-së.

Debati për raportin mbi Kosovën vazhdoi në sallën Parlamentit Europian, ku deputetë të ndryshëm, bazuar në politikat e secilit vend që përfaqësojnë mbajtën qëndrime të ndryshme përsa i takon Kosovës.

Deputetët nga vendet brenda BE-së që nuk njohin ende pavarësinë, si Spanja apo Greqia shprehën dyshime për arritjet e Kosovës dhe sidomos për liberalizmin e vizave, duke thënë se Komisioni Europian duhet të mendohet mirë para se të ndërmarrë një hap të tillë.

Në krahun tjetër, përfaqësuesit e vendeve që tashmë e njohin Kosovën ngulën këmbë se vendi ka vetëm perspektivë europiane dhe pas firmosjes së marrëvëeshjes së stabilizmin-asociimit me Kosovën, liberalizmi i vizave do të ishte një shenjë e qartë e të ardhmes së saj europiane.

Top Channel