Ndërhyrje tek lumenjtë për të parandaluar përmbytjet

03/02/2016 17:40

Qeveria thotë se ka në total 17 projekte, pjesë e programit të posaçëm të financuar nga Bashkimi Europian për parandalimin e përmbytjeve kryesisht përmes ndërhyrjeve në infrastrukturën e lumenjve.

Dy prej këtyre projekteve janë duke u zbatuar në zonën e Novoselës, ku këtë të mërkurë ishte për të parë nga afër ecurinë e punimeve, zv.kryeministri Niko Peleshi.

Zëvendëskryeminisytri Peleshi, i shoqëruar nga përfaqësues lokal të zonës, u takua me drejtues dhe ekspertë, të zbatimit në terren të projekteve.  Ai u shpreh se qeveria po punon me një qasje të re për të parandaluar pasojat e përmbytjeve.

“Në këtë zonë pranë Novoselës po bëhet një punë e madhe, si pjesë e projektit prej 17 veprash, në të gjithë vendin të mundësuar nga financimet e BE dhe qeverisë shqiptare për të rehabilituar dhe për të parandaluar me disa ndërhyrje në argjinatura kryesisht, përmbytjet potenciale. Ne mbrojmë 5 mijë hektarë tokë dhe rreth 12 mije familje. Një investim prej 1 apo 2 milion dollarësh mbron një përmbytje potenciale në këtë tokë, mijëra hektarë tokë e mijëra familje. Në 17 veprat që po punohet me intensitet arrijmë të mbrojmë 160 mije familje. Do ta përmbyllim me shumë sukses ndërhyrjen në këto 17 lote”, tha Peleshi.

Dy projektet janë ngritja e argjinaturës se Lumit Vjosë në zonën e Bishanit dhe përforcimi i kanaleve, si dhe riparimi i dëmtimeve në argjinaturen e Selevecit, 7 kilometra gjatësi. Nga realizimi i tyre do të shpëtohen prej përmbytjeve rreth 5 hektarë tokë dhe do të përfitojnë direkt 12.00 banorë të Novoselës, ndërsa prej 17 projekteve në të gjithë vendin do të jenë përfitues 160 mijë banorë.

Zv.kryeministri shtoi se në parandalimin e përmbytjeve në të ardhmen do të ndihmojë edhe moratoriumi i pyjeve, i cili mund të kalojë këtë të enjte në seancë plenare.

Top Channel