Vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë urgjente pritet të standardizojnë procedurat e regjistrimit të refugjatëve dhe të unifikojnë kriteret për kalimin e tyre nëpër “korridorin ballkanik”.

Përfaqësuesit e ministrive të Punëve të Brendshme nga Maqedonia, Austria, Kroacia, Sllovenia dhe Serbia janë takuar të mërkurën në Shkup, për të koordinuar veprimet e tyre lidhur me menaxhimin e krizës së refugjatëve.

“Konstatuam se shkëmbimi i shpejtë i informacioneve lidhur rreth lëvizjes së refugjatëve nëpër vendet tona, si dhe zbatimi i masave të reja luajnë rol vendimtar për të shmangur tensionet në kufi dhe ndihmojnë shumë në menaxhimin e suksesshëm të krizës së refugjatëve”, deklaroi Gorance Savovski, drejtor i Byrosë së Sigurisë Publike.

Për të ndihmuar autoritetet maqedonase në përballjen me fluksin e emigrantëve, Austria, që është ndër vendet më të prekura nga kjo krizë, do të stacionojë pjesëtarë të policisë së saj në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Drejtori i policisë austriake, Franz Lang kërkoi angazhim më të madh nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të reduktuar fluksin e emigrantëve që nuk kanë mundësi për të fituar të drejtën për azil.

“Gjatë pesë viteve të kaluara kanë kaluar tranzit rreth 780 mijë persona, ndërsa në 13 muajt e fundit në Austri ka patur pothuajse 100 mijë azilkërkues. Javën e kaluar autoritetet tona morën vendimin për uljen e kuotës së azilantëve në 37.500 persona”, deklaroi Lang.

Përfaqësuesit e pesë vendeve ballkanike të prekura nga kriza kanë vendosur që të ndalojnë kalimin e atyre refugjatëve që japin të dhëna të rreme apo nuk posedojnë dokumente.

Top Channel