Debati në PS, Braçe kundër Blushit e Hafizit: Jo shantazh partisë

03/02/2016 19:45

Për deputetin Erjon Braçe, i njohur si një nga zërat më të drejtpërdrejtë brenda Partisë Socialiste, kongresi duhet të rikonfirmojë kreun e partisë që fiton zgjedhjet në popull.

Sipas tij, cilido ka legjitimitetin brenda rregullave të përcaktuara për të kandiduar, por jo si produkt, siç tha ai, marrëdhëniesh apo marrëveshjesh personale të cilat në një moment të caktuar dikujt i duket se janë shkelur.

“Unë mund të pranoj ambicjet e gjithëkujt, fushatën e gjithëkujt për të kandiduar për kryetar partie e të tjera me radhë, por jo duke i bërë dëm partisë, jo duke prodhuar tension në parti, jo duke destabilizuar partinë apo duke destabilizuar atë që është prioriteti ynë themelor në këtë moment, qeverisja e vendit. Kjo është kontrata që ne kemi me qytetarët, është edhe kontrata që kemi me Partinë Socialiste sepse çdo dështim në qeverisjen e vendit natyrisht që është kosto për Partinë Socialiste”, deklaron Braçe.

Erjon Braçe nuk ka dashur të komentojë pozicionimin edhe të deputetes Hafizi në mbështetje të zotit Blushi, por ka qenë i qartë sa i takon domosdoshmërisë që kultura e shantazhit duhet të dalë nga Partia Socialiste.

“Nuk më intereson fare, le të rreshtohen ku të duan e si të duan. Ama edhe këtu kam një vërejtje timen, nuk mund të shantazhohet askush brenda Partisë Socialiste të Shqipërisë. Nëqoftëse në këtë parti ngrihen akuza të cilat janë të një natyre penale, ato pa diskutim ose duhen shoqëruar me prova, ose me kallëzimet respektive në organet e drejtësisë. Përndryshe, ky lloj shantazhi duhet të dalë jashtë Partisë Socialiste të Shqipërisë”, thotë Braçe.

Megjithatë, deputeti socialist, një ndër figurat më të rëndësishme të kësaj force politike, nuk i ka kursyer as kritikat ndaj qeverisë, duke kërkuar që ajo të jetë më pranë qytetarëve.

“Ashtu siç kam kritika për ritmin e punës, ashtu siç kam kritika për prezencën dhe jo vetëm të ministrave por të gjitha agjencive ligjzbatuese atje poshtë në territor tek njerëzit”, shton Braçe.

Top Channel