Itali, trupi i Atë Pios mbërrin në Vatikan

03/02/2016 22:20

Trupi i një prej shenjtorëve më të njohur katolikë, murgu mistik Atë Pio, ka mbërritur me një arkivol kristali në Vatikan.

Atë Pio vdiq në vitin 1968 dhe Kisha Katolike thotë se në trupin e tij kishte shenja të “stigmatës”, siç njihen ndryshe plagët e krishtit të kryqëzuar.

Eshtrat e shenjtorit u zhvarrosën në vitin 2008 nga San Xhovani Rotondo, një qytet i vogël juglindor italian, ku Atë Pio ka kaluar shumicën e jetës.

Trupi i tij u rindërtua pjesërisht me një maskë silikoni dhe u ruajt në një temperaturë të caktuar, me qëllim që besimtarët të mund ta shohin nga xhami.

Ishte Papa Françesku ai që kërkoi që trupi i shenjtorit, i cili e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës duke dëgjuar rrëfimet e njerëzve, të zhvendosej në Selinë e Shenjtë.

Top Channel