NBA, Curry shkëlqen me 51 pikë (Video)

04/02/2016 12:10

Golden State Warriors nuk ka mëshirë për askënd në kampionatin e NBA. Skuadra kampione në fuqi këtë radhë mposhti Washington Wizards 134-121, duke regjistruar fitoren e 8 radhazi.

Protagonisti absolut për Warriors ishte Stephen Curry, i cili e mbylli ndeshjen me 51 pikë, 33 nga të cilat nga distanca e 3 pikëve. U paraqitën mjaft mirë për Golden State edhe Draymond Green me 12 pikë, 10 topa në tabelë dhe 12 asist dhe Klay Thompson me 24 pikë.

Për Washington nuk mjaftuan 41 pikët dhe 10 asistet e John Wall për të evituar këtë disfatë.

Befason skuadra që kryeson në Konferencën e Lindjes, Cleveland Cavaliers. Skuadra nga Ohio u mund nga Charlotte Hornets 97-106, ku për Hornets ai që spikati ishte Jeremy Lin me 24 pikë. Për Cavaliers, Irving shënoi 24 pikë dhe James 23, por këto statistika nuk e ndihmuan Cleveland të mbyllte këtë ndeshje në favorin e saj.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Los Angeles Clippers u mposht nga Minnesota Timberwolves 102-108, ndërsa San Antonio Spurs fitoi në fushën e saj me New Orleans Pelicans 110-97. Miami Heat mundi Dallas Mavericks në Teksas 93-90 dhe Oklahoma City Thunder triumfoi ndaj Orlando Magic 117-114, falë 3-pikëshit të shënuar në sekondën e fundit nga Kevin Durant.

Top Channel