PD: Sillni Byronë e Hetimit; Meta: Sillni draftin që t’i nënshtrohet procedurave

04/02/2016 00:00

Partia Demokratike ka kërkuar në Kuvend sqarime lidhur me projektligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, të dakordësuar mes palëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka kërkoi arsyen e mosparaqitjes së këtij projektligji të dakordësuar në Kuvend.

“PD është njohur me një projektligj, ka dhënë dakordësinë e saj për të. Dhe në të njëjtën kohë na është thënë se edhe PS është njohur me projektlligjin dhe ka dhënë po ashtu dakordësinë e saj. Pse nuk vjen ky ligj në Parlament, meqenëse është bërë zhurmë e madhe”, u shpreh Paloka. 

Në reagimin e tij, kreu i Kuvendit, Ilir Meta i sugjeroi demokratëve të depozitojnë këtë projektligj të dakordësuar në Kuvend për të ndjekur procedurat.

“Unë kam një sugjerim për grupin parlamentar të PD, që variantin për të cilin ajo është dakord ta depozitojë në kuvend dhe t’u nënshtrohet procedurave parlamentare dhe ne do ta ndjekim atë me prioritet”, tha Meta.

Ndërsa ministrja Ermonela Felaj, duke sqaruar pozicionin e saj në Konferencën e Kryetarëve tha se projektligji për Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të jetë pjesë e reformës në drejtësi.

“Drafte secili nga ne mund të bëjë, e rëndësishme është ku ta vendosim këtë strukturë, të na e thonë deputetë tuaj në komisionin e reformës në drejtësi dhe nuk ka asnjë pengesë nga ana jonë. Nuk e kemi ngritur si nevojë për luftën kundër korrupsionit, por korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ministrja Felaj.

Ndërsa kryeministri Rama, duke theksuar se Byroja ka qënë në programin e Partisë Socialiste që para se të fitonte zgjedhjet, pranoi ekzistencën e një drafti të dakodësuar, por që tashmë do të jetë pjesë e reformës në drejtësi.

“Për Byronë ne e kemi mbaruar punën tonë. Por ne nuk jetojmë në hënë dhe ne e dimë që ka një proces të reformës në drejtësi që nuk mund të anashkalohet dhe nuk mund të bëjmë dot diçka që nesër. Brenda pak javësh reforma mund ta konsiderojë të nxituar. Kështu që dokumenti me të cilin ju keni rënë dakord është në dispozcion të komisionit të reformës”, sqaroi Rama.

Reforma në drejtësi do të votohet nga të gjithë, vijoi ai. “Dhe ju që jeni këtu do vini të votoni jo vetëm Byronë Kombëtare të Hetimit po dhe reformën në drejtësi. Do të vini ta votoni, do i gëlltisni e do bëni sikur nuk i keni nxjerrë ndonjëherë gjithë ato budallallëqe që keni vënë njëra pas tjetrës ato fletë-rrufetë. Do i harroni të gjitha, do vini e do votoni reformën në drejtësi. Këtu do jemi”, shtoi shefi i qeverisë duke iu drejtuar opozitës.

Eduard Halimi, duke iu përgjigjur kryeministrit Rama sqaroi qëndrimin e opozitës që Byroja Kombëtare e Hetimit të mos jetë në varësi të kryeministrit, por në atë të prokurorit të përgjithshëm.

“Byroja ka qenë në programin e PS, por modeli i këtij programi është që Byroja të mbikëqyret nga kryeministri. Byroja duhet të luftojë korrupsionin, por të gjithë e dimë se korrupsionin mund ta bëjë qeveria me tendera e konçesione. A ka bërë kjo polici një procedim ndaj zyrtarëve të qeverisë? Jo. Zero. Ne kemi kërkuar që Byroja të mos jetë në vartësi të kryeministrit, por në atë të kryeprokurorit. Pyetja është pse nuk votohet Byroja sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe opinionit të Venecias? Nuk mund t’i kontrollojë kryeministri emërimet, mbledhjen e të dhënave, etj. Prandaj ne e kemi kundërshtuar. Do të jesh ti që do ta votosh me një këmbë reformën në drejtësi sipas standardeve”, iu përgjigj Halimi, Ramës.

Top Channel