Byroja, Rama: Më parë të konsultohet nga komisioni i reformës në drejtësi

04/02/2016 00:00

Duke theksuar se Byroja Kombëtare e Hetimit ka qënë në programin e Partisë Socialiste që para se të fitonte zgjedhjet, kryeministri Rdi Rama pranoi ekzistencën e një drafti të dakodësuar, por që tashmë do të jetë pjesë e reformës në drejtësi.

“Për Byronë ne e kemi mbaruar punën tonë. Por ne nuk jetojmë në hënë dhe ne e dimë që ka një proces të reformës në drejtësi që nuk mund të anashkalohet, dhe nuk mund të bëjmë dot diçka që nesër, brenda pak javësh reforma mund ta konsiderojë të nxituar. Kështu që dokumenti me të cilin ju keni rënë dakord është në dispozcion të komisionit të reformës dhe komisioni le të diskutojë e le të thotë fjalën e tij. Në momentin që komisioni shprehet ‘ky dokument nuk ka lidhje’, apo ‘është i tepërt’ dhe të votohet përpara votimit të paketës së parë të reformës, as mos u bëni merak fare se do të votohet pa as më të voglin dyshim”, deklaroi Rama.

Kush nuk miraton reformën në drejtësi do të përvëlohet para gjykatës së popullit në votime, paralajmëroi më tej gjatë fjalës së tij në Kuvend kryeministri. Ai u tregua mjaft i ashpër me opozitën, të cilën e quajti ‘pa bojë’.

“Fjala ime do të jetë e panevojshme në funksion të miratimit. Sepse kush nuk miraton reformën në drejtësi do të përvëlohet plotësisht kur të shkojë përpara gjykatës së popullit në votime. Do të shpartalloheni siç nuk jeni shpartalluar as në 2013 e as 2015. Jeni pa bojë, nuk keni asnjë lloj boje në raport me të vërtetën dhe publikun shqiptar. Keni dy vjet e gjysëm që s’keni marrë asnjë masë t’i ktheni bojën partisë së shpartalluar”, u shprehur Rama.

Reforma në drejtësi do të votohet nga të gjithë, vijoi ai. “Dhe ju që jeni këtu do vini të votoni jo vetëm Byronë Kombëtare të Hetimit po dhe reformën në drejtësi. Do të vini ta votoni, do i gëlltisni e do bëni sikur nuk i keni nxjerrë ndonjëherë gjithë ato budallallëqe që keni vënë njëra pas tjetrës ato fletë-rrufetë. Do i harroni të gjitha, do vini e do votoni reformën në drejtësi. Këtu do jemi”, shtoi shefi i qeverisë duke iu drejtuar opozitës.

Top Channel