Qendra dhe periferia e atdheut

04/02/2016 00:00

Ismail Syla – Kandidatura e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi për President ka lëkundur vrerin jo vetëm të një pjese të politikës kosovare, por edhe të segmenteve të caktuara të shoqërisë civile dhe të botës së mediave. Kjo qasje të shtyn, nga pikëvështrimi individual, për të bërë një skicim të profileve të mëdha politike lidhur me prejardhjen e tyre, origjinën, rrënjët dhe qëndrueshmërinë.

Simbolikisht, dy njerëz kanë marrë në dorë gacën e vërtetë politike në këtë çerekshekulli të jetës politike të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi. Secili prej tyre ka identitetin e veçantë, rrugën dhe filozofinë e caktuar politike. Mund të kenë kundërshtarë të paepur, të hapur, me motive të llojllojshme, por faktet janë fakte. Ibrahim Rugova, ndër të tjera, do të mbahet mend si lider i politikës paqësore për orientimin perëndimor, respektin ndaj Vatikanit dhe mospranimin për të dalë në zgjedhjet e Serbisë, shpesh ide e sugjeruar edhe nga ndërkombëtarët. Me formimin intelektual albanologjik dhe me origjinë nga brendësia e Atdheut (Kosovës) ai ka dy përparësi fondamentale që i siguruan qëndrueshmëri në skenën politike deri në vdekje (2006), në pozitën e të parit të vendit, si kryetar i Kosovës.

Ndërkaq, Hashim Thaçi është lider me ndikim të madh dhe i fuqishëm që nga dita kur doli në skenë deri në ditët e sotme. Kjo fuqi reprezentative i vjen nga fakti që origjina e tij politike vjen nga brendësia e Atdheut. Kjo origjinë e bën me rrënjë të thella në fushëveprimin politik, me forcë graviteti të lartë, sepse si lider i tillë sintetizon shpirtin, idealet, synimet dhe ëndrrat e brendësisë së Atdheut. Liderët me origjinë nga brendësi e Atdheut gdhihen dhe ngrysen me Atdheun. Thaçi, i lindur më 1968, simbolizon dhe sintetizon periudhën dyzetvjeçare të Kosovës 1968-2008. Ai sublimoi përpjekjet e vitit 1968, 1981, 1997, 1998- 1999 dhe 2008, me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik.

Thaçi nuk e ka asnjë ditë në shërbim të sistemit komunist. Në vitet studentore, si prorektor-student, ai kontribuon në riorganizimin e Universitetit të Prishtinës për funksionim paralel, në shtëpi private. Brenda organizimit të LPK-së, ka qartësinë e duhur dhe orientimin për krijimin e një mekanizmi ushtarak, përkatësisht krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është përfaqësuesi më i lartë politik i saj, dhe si i tillë zgjedhjet në krye të delegacionit të Kosovës në Rambuje të Francës, në konferencën më të rëndësishme ndërkombëtare për Kosovën.

Nuk ka asnjë vendim dhe ngjarje të rëndësishme në Kosovë pa pjesëmarrjen e tij: anëtar i KPA-së, deputet i të gjitha legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, anëtar i ekipit të Unitetit në bisedimet e Vjenës, fitues i zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 nëntorit 2007, kryeministër që shpall pavarësinë e Kosovës më 17 Shkurt 2008 (themelues i shtetit të Kosovës) drejtues i qeverisë në dy mandate të plota, fitues për herë të tretë i zgjedhjeve nacionale. Kjo është një trashëgimi e pakontestuar.

Vetëm një lider që vjen nga brendësia e Atdheut ka ndjeshmëri për institucionalizimin e përpjekjeve dhe sakrificave të atyre shtresave që kanë dhënë për Atdheun. Mbrojtja me ligj dhe me mjete materiale e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, e veteranëve, ndihma materiale për ish të burgosurit politikë për vitet e kaluara në burgjet jugosllave janë akte që përtej simbolikës së kompensimit material kanë vlerën e shpërblimit edhe moral.

Qasja ndaj figurave historike (Hasan Prishtina, Shaban Polluzha, Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Arben Xhaferi etj.) dhe emërtimi i institucioneve kryesore të Kosovës me emrat e tyre ka një simbolikë dhe është tregues se me çfarë qartësie të orientimit kombëtar vepron njeriu i formatit të lartë me origjinë nga brendësia e Atdheut. Si inaugurues i filozofisë së pranimit të rezultateve të zgjedhjeve, tolerant në fitore, i hapjes dy herë të rrugës për zgjedhje të kryeministrave të tjerë (Bajram Rexhepi, Isa Mustafa) është krejt e natyrshme që njeriu i brendësisë së Atdheut të ketë legjitimitetin për arritjen e pajtimit dhe normalizimit midis dy popujve me historinë e luftës dhe plagëve më të thella të urrejtjes në Ballkan, midis Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë trashëgimi politike, Hashim Thaçi hyn natyrshëm në zyrën e presidentit të Kosovës.

Ndërkaq, njerëzit e periferive të Atdheut (Mal i Zi, Maqedoni, Luginë e Preshevës) që në Kosovë gjetën strehë, që bënë karrierë, u sistemuan në katedra, institute e Akademi, që s’është askush kundër deri këtu, e teprojnë kur shesin leksione përballë liderëve të brendësisë së Atdheut, madje ua përshkruajnë edhe vendin e tyre, në “pleh të historisë” ose në burg të Dyzit. Ata më së miri e dinë se si institucionet ose katedrat që i kanë në dorë i shndërruan në shoqata e sindikata farefisnie. Aty është rrënja dhe qëndrueshmëria e tyre.

Nga ky skicim përjashtohen tërësisht ata që ende në shpirt mbajnë frymën jugosllave. Dhe një frymë e tillë është ende shumë e gjallë në Kosovës. As ata që si nënprodukte të profileve brenda Atdheut për interesa të caktuar individuale presin degën ku rrinë ulur, dhe harrojnë se me këto veprime i japin hapësirë frymës së pashuar jugosllave (që kanë përfituar), në dëm të forcimit të profilit të njerëzve që kanë dhënë për Kosovën.

Si konkludim në fund: Në kthesa të mëdha historike, megjithatë barra ka rënë mbi liderët e qendrës së Atdheut. Gacën reale të saj të gjallë e kanë marrë në dorë antikonformisti më i madh shqiptar Adem Demaçi, lideri i rezistencës paqësore Ibrahim Rugova, simboli i flijimit legjendar Adem Jashari dhe themeluesi i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi. Zhvillimet brenda kombit, ngjashëm me detet dhe oqeanet, kanë aftësinë e natyrshme të ruajtjes së kualitetit të ujërave në thelb dhe nxjerrjen në periferi të atyre elementeve që nuk i duron zemra e detit ose e oqeanit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel