Gjermani, valë arrestimesh për terrorizëm para karnavaleve

04/02/2016 12:55

Një sërë personash të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik janë arrestuar nga policia gjermane në çeljen e një feste që mobilizon me mijëra njerëz në këtë vend: karnavalet.

Pas masakrës së Parisit dhe sulmeve me sfond seksual në Këln natën e ndërrimit të viteve, masat e sigurisë në Gjermani janë shtuar ndjeshëm.

Gjatë aksionit policor të shtrirë në Berlin, Hanover e Atendorn të landit Renania Veriore Vestfali, përfunduan në pranga mes të tjerësh dy algjerianë, një nga të cilët rezident i një qendre refugjatësh.

Autoritetet në Hanover kanë konfiskuar telefonë celularë dhe një kompjuter. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë në kërkim.

Për lidhjet e dyshimta të këtyre individëve, policia u informua nga agjencia gjermane e inteligjencës, BND. Në deklaratën e shpërndarë me këtë rast thuhet se, grupi po planifikonte një “akt që kërcënonte sigurinë e shtetit”.

Ndalimet përkuan me nisjen e “Weiberfastnacht”, kremtimet 5 ditore të karnavaleve në mbarë rajonin e Këlnit. Asnjë formë dhune nuk do të gjejë vend në këtë festival, ishte deklarata e shefit të policise Jürgen Mathies, që njoftoi gjithashtu forcimin e mëtejshëm të masave të sigurisë në qytet dhe zonat përreth tij.

“Për këtë arsye do të ndërmarrim veprime të ashpra ndaj të gjithë atyre që e kalojne kufirin me sjelljen e vetë, përfshirë këtu të dehurit që abzuojnë, hajdutët, apo agresorët seksualë të cilët nuk e pranojnë dot refuzimin e një femre”, shtoi oficeri i lartë.

Rreth 2.500 efektivë policie do të shpërndahen në qytet, duke shënuar kështu një rritje të ndjeshme të pranisë policore atje krahasuar me vitin që shkoi. Buxheti i sigurisë për festimet e sivjetshme llogaritet në më shumë se 360.000 euro.

Top Channel