Ambasadorja e Holandës: Do t’i kthejmë shqiptarët. 1015 azilkërkues në 2015-n

04/02/2016 00:00

Ambasadorja e Mbretësisë së Holandës në Tiranë, Dewi van de Weerd, duke folur për krizën e refugjatëve tha se, “Europa është në një situatë serioze pa shumë përgjigje, por që kërkon zgjidhje”.

Krizën, ajo e përkufizoi si një “stress-test” për të gjithë kontinentin. Ambasadorja shprehu gjithashtu shqetësimin për numrin e azilkërkuesve shqiptarë, që kanë mbërritur në Holandë.

“Vitin e shkuar, krahasuar me 2014-n, ne patëm një rritje më të madhe sesa një 10-fishim të azilantëve të ardhur nga Shqipëria, në Holandë. Shqipëria, si një vend kandidat për në BE, konsiderohet një vend origjine i sigurtë. Këta njerëz janë emigrantë ekonomikë. Askush prej tyre nuk ka fituar azilin, ndaj dhe që të gjithë do të kthehen në Shqipëri”, tha Dewi van de Weerd.

Top Channel e pyeti ambasadoren se, sa është numri i azilantëve shqiptarë që kërkuan azil në Holandë gjatë 2015-s.

“Në 2015-n, numri ishte 1015 njerëz. Një vit më parë 85. Ishte një ndryshim i madh për ne”, deklaroi Van de Weerd.

Këto komente, ambasadorja e Holandës i bëri nga “Forumi i politikave ndërkombëtare”, organizuar nga “Instituti ndërkombëtar i Studimeve ndërkombëtare”.

Top Channel