Bojkoti i avokatëve, shoqatat nuk i binden ministrit

04/02/2016 15:15

Apeli një ditë më parë i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, që u kërkonte avokatëve të mos braktisnin shërbimin ndaj publikut, duket se nuk ka dhënë efektin e pritur.

Avokatët janë të bindur të realizojnë vendimin e Dhomës Kombëtare të Avoaktisë për bojkotin e parë në historinë e avokaturës shqiptare, si kundërveprim ndaj rritjes së taksave për profesionin e tyre.

Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj, në një intervistë për Top Channel, edhe pse e cilëson bojkotin si një masë ekstreme, e quan atë të domosdoshëm për integritetin dhe profesionin e avokatëve.

“Është një masë ekstreme, ne jemi të ndërgjegjshëm. Nuk dëshirojmë braktisjen e seancave gjyqësore, por ne jemi për të mbrojtur të drejtat proceduriale të klientëve tanë. Por jemi në një masë ekstreme, pasi në momentin që nuk mbrojmë dot veten tonë nuk mund të mbrojmë të tjerët. Do shohim reagimet ditën e nesërme dhe nëse nuk do të ketë reagim të Këshillit të Ministrave as të premten, dita e hënë do të jetë fillimi i një greve 1-ditore. Më pas, në bazë të reagimit do të vendoset për veprime të mëtejshme”, deklaron Vishaj.

Vishaj, duke cituar vendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ka parlajmëruar avokatët se, kushdo që do të thyejë bojkotin do të përballet me proçedim disiplinor nga Dhoma e Avokatisë.

“Nëse një avokat do të marrë pjesë në seancë, duke vepruar në kundërshtim me vendimin e Dhomës së Avokatisë, ai do të përballet me masa disiplinore”, nënvizon Vishaj.

Top Channel