Program për uljen e borxhit, deri në 2017 do të bjerë me 4.6%

04/02/2016 15:25

Qeveria ka miratuar një program reformash për 3 vitet e ardhshme në të cilin angazhohet të ulë borxhin publik me 4.6 për qind brenda 2017-s, që është edhe viti i fundit i mandadit.

Sipas programit, të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, parashikohet që borxhi total të ulet nga 72.5 për qind që është aktualisht në 67.9 për qind në fund të vitit 2017.

Por si do do të ulet borxhi? Sipas qeverisë, instrumenti kryesor është reduktimi i fortë i huamarrjes publike.

Defiçiti fiskal, ndryshe borxhi i ri që merr qeveria në një vit, do të ulet nga 4 për qind e Prodhimit Kombëtar që ishte vitin e kaluar, në 0.5 për qind në 2018-n, duke shkuar gati drejt buxhetit të balancuar.

Në dokument qeveria deklaron se nuk do të ketë më rritje të taksave mbi individët dhe biznesin. Ndaj, e gjithë ulja e borxhit do të vijë nga reduktimi i shpenzimeve, të cilat do të rrudhen me gati 2.5 për qind e Prodhimit Kombëtar në katër vitet e ardhshme.

Sipas qeverisë, uljen më të madhe do ta kenë shpenzimet korente, por edhe investimet do të reduktohen, ndonëse në një masë më të lehtë.

Veç shtrëngimit të buxhetit, qeveria thotë se borxhi do të ulet edhe nga përshpejtimi i rritjes ekonomike. Për shkak se borxhi llogaritet mbi Prodhimin Kombëtar, një rritje më e shpejtë e ekonomisë sjell automatikisht uljen e tij.

Sipas dokumentit, nga 2.6 për qind që ishte vitin e kaluar, rritja ekonomike do të përshpejtohet në 3.4 për qind këtë vit dhe do vazhdojë trendin rritës duke arritur nivelin 4.2% në 2018-n.

Top Channel