Luftë me bunkerin, ish-të përndjekurit: Do ta pësojë si busti i Enverit

04/02/2016 15:45

Kallëzimi penal që është në prokurori për thirrjen publike për prishjen e bunkerit tek Ministria e Brendshme, e cila përfundoi me djegien e objektit, nuk e ka penguar Besim Ndregjonin e të përndjekurve politikë që të kthehet sërish në të njëjtin vend.

Tani që qeveria rikonfirmoi planin për të rindertuar bunkerin, mjeti për të mos lejuar realizimin e planit nuk ka më rëndësi. “Nuk është problemi tek djegia. Problemi është tek urrejtja që ka qeveria për ish-të përndjekurit”, deklaron Ndregjoni.

Ish-të përndjekurit, që mbështeten nga Partia Demokratike, nuk kanë vendosur ende sesi do ta prishin objektin nëse ai rindërtohet. Por Ndregjoni është i vendosur për fatin e tij.

“Atë fat që pati busti i Enver Hoxhës. A e lejuan shqiptarët bustin? Jo. Në një sistem demokratik është më e rëndësishme liria sesa pushteti ekzekutiv që ka Edi Rama”, thotë Ndregjoni.

Përfaqësuesi i ish-të përndjkurve politikë drejtoi gishtin tek vepra reale që ata do të përkrahnin si momument të kujtesës për krimet e komunizmit.

“Le ta bëjë këtë muze kombëtar për krimet e komunizmit në Ministrinë e Brendshme, që këtu është derdhur gjaku i mijëra shqiptarëve nga torturat e diktatorit Enver Hoxha dhe në fund i fut në bunkeret e nëndheshme ku nuk kanë varre as edhe sot”, thotë Ndregjoni.

Top Channel