Masakra, debate në Kuvend; PD kërkon dorëheqjen e ministrit Tahiri

04/02/2016 00:00

Ngjarjet kriminale të ditëve të fundit kanë rritur tensionet në sallën e Kuvendit mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreut të grupit të PD-së, Edi Paloka.

“Jepi përgjigje kryeprokurorit, zoti ministër, për ato bandat që po përleshen në Durrës, që ti i njeh shumë mirë. Jepi përgjigje kryeprokurorit që tha se ajo banda është e lidhur me zyrtarët dhe nuk e kapim dot. Sepse po bëhet Durrësi si Kabuli dhe Shqipëria si Siria”, tha Paloka.

Teksa minsitri i Brendshëm kërkoi që PD të ketë një qëndrim zyrtar për ish-ministrat e ish-zyrtarët e arrestuar, Paloka e cilësoi të turpshme praninë e Tahirit në sallë dhe kërkoi dorëheqjen e tij.

“Është e turpshme që ky vazhdon të vijë në Parlament njëherë, se vetëm me ato që po ndodhin në Shqipëri në këto muaj nuk duhet të ishte fare këtu. Nuk e di a kishin kamera në uniforma policie ata që vranë 3 e plagosën 6 të tjerë. Këtë duhet të na thotë ky. Kush është kjo banda me uniformë policie që duket sikur zbaton porosi, këtë të na tregojë ky ministri. E jo të shes dëngla këtu. Imagjino ç’kryeministër, nxjerr minsitrin e Brendshëm të flasë për Ben Blushin. Nuk na duhet fare se ç’bëhet në partinë tuaj, janë punët tuaja. Ne kemi punë me votimet për shqiptarët”, tha Paloka.

Deklaratës së PD iu përgjigj kryeministri Edi Rama, i cili i bëri thirrje opozitës që të mos sulmojë policinë.

“Vazhdoni, bëni çdo ditë një fletërrufe kundër policisë dhe ministrit të Brendshëm. Është publiciteti më i mirë që ju i bëni faktit se jeni pa asnjë lloj boje. Ju s’dini ç’bëhet se si bëhet, ju tregojnë përralla ata që keni mbi krye, nga lideri tek administratori i ndërmarrjes së falimentuar dhe vini këtu e recitoni përrallat e tyre”, tha Rama. 

Top Channel