Gara brenda PS, Berisha: S’bëj avokatinë e Blushit; deputeti socialist: Ti ke rrahur njerëzit brenda PD-së

04/02/2016 17:05

Në seancën e kësaj të enjteje në Parlament, pjesë e diskutimeve u bë edhe gara brenda Partisë Socialiste dhe ai që e hapi këtë diskutim ishte ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha u kujdes të theksojë se “ndërhyrjet” në punët e socialistëve nuk i bënte si avokat i Blushit, por për të mbrojtur normën e përcaktuar në statutin e tyre.

Sali Berisha: Unë merrem me normën. (I drejtohet Blushit) Nuk po bëj avokatin tënd,  bëj avokatinë e vlerave të një sistemi demokratik. Më vjen shumë mirë që dy deputetë të veriut mbrojnë garën dhe nuk mbrojnë zotërinë, sepse zotëria në fjalë e ka personifikuar veriun me kriminelë dhe banditë, por ka edhe të tjerë që janë intelektualë nga veriu.

Kjo ishte fjala e ish-kryeministrit, i cili u thumbua nga kreu i Kuvendit teksa iu drejtua vendit të tij në sallë.

Ilir Meta: Kishe hallin e statutit ti. Kjo është e vërtetë. (qesh)

Pas kësaj, fjalën për replikë e mori Ben Blushi. Ai u ndal fillimisht tek politika e jashtme, e cila ishte temë e fjalës së gjatë të Berishës. Ish-kryeministri kritikoi qëndrimet e qeverisë aktuale sidomos me partneritetin strategjik dhe të “zero problemeve” me fqinjët.

Ben Blushi: Ke folur si otoman-komunist sa i takon politkës së jashtme. Po na tregon ti ne si e ke bërë politikën e jashtme? Me Greqinë ishe në konflikt në ‘97, Erdogani të tha frikacak 4 vite më parë, apo jo?! Sa i takon Partisë Socialiste, (i drejtohet Berishës) ti teserën e Partisë së Punës e ke lënë para 25 vjetësh. Ç’punë ke me PS ti që i ke rrahur njerëzit brenda partisë tende?! Ed Selamin e çove 10 vjet në emigracion, Genc Pollon e përzure. Mua për fat të mirë nuk po më rrahin akoma. Ç’ke ti me PS?! Mendon që duke bërë ne garë ti fiton më shumë vota?! Po të flasë Ed Selami po! Të çohet dhe të ketë burrërinë që të thotë që ti e çove në emigracion për 10 vjet. Modeli jot që krijove 25 vjet ishte ai pa garë, pa rivalë, nuk bëje garë. Ca i ke rrahur. Kjo ka qenë demokracia brenda PD. Sot kërkoj të bëhet një garë brenda PS sepse nuk dua që modeli yt të vijë në partinë ku jam. Unë jam kundër modelit, jo kundër teje. Mos u merr me punët tona! Na lër t’i zgjidhim vetë punët tona, me garë pa garë. Je komplet i papërshtatshëm për këtë punë.

Top Channel