Kriza politike, Jahjaga këmbëngul në tryezën e përbashkët të krerëve partiakë

04/02/2016 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga po bën përpjekje për të organizuar një tryezë të përbashkët me krerët e partive politike, për të diskutuar për daljen nga kriza, por deri të enjten nuk ka arritur të konfirmojë pjesëmarrjen e tyre në tryezën e diskutimeve.

Pak ditë përpara se Kuvendi të fillojë punimet e sesionit të ri, kryeparlamentari Kadri Veseli i ka bërë thirrje Jahjagës, që të thërrasë në takim udhëheqësit partiakë, ndërsa opozita i ka dorëzuar tashmë një letër me kërkesa të qarta kryetares së shtetit.

Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, përmes letrës së përbashkët dërguar asaj, kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat – sipas opozitës, – do të mbaheshin brenda afatit të parashikuar me ligj.

E ndodhur përballë këtyre kërkesave, Jahjaga, e cila ndodhet në fund të mandatit presidencial, ende nuk ka arritur të japë një përgjigje konkrete se, ku e sheh zgjidhjen dhe dobinë e tryezës, të cilën e ka propozuar vet ajo.

Nga kabineti i Jahjagës kanë konfirmuar, përmes një përgjigjeje elektronike për Top Channel, vetëm faktin se presidentja po e vazhdon angazhimin  e saj për krijimin e kushteve për një tryezë të përbashkët të krerëve partiakë, për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.

Por duket se, pikërisht fundi i mandatit të saj po minon edhe këtë nismë të Jahjagës. Top Channel ka mësuar nga burime institucionale dhe partiake se, udhëheqësit partiakë po hezitojnë të marrin pjesë në një proces dialogu, të udhëhequr nga një presidente që pritet të lërë zyrën e saj brenda pak javësh.

Top Channel