Itali, rikthehet makthi i “Audit të verdhë”, banda tashmë me “BMW”

04/02/2016 00:00

Kur dukej se po harrohej rasti i automjetit famëkeq “Audi i verdhë”, që shkaktoi panik në zonën veriore të Italisë, një tjetër automjet po shqetëson forcat italiane të rendit.

Një “BMW” e errët është ndjekur deri në ndalim nga patrullat në zonën e Desios, në veri të Italisë. Dyshohet se, personat që udhëtojnë me këtë automjet, që rezulton i vjedhur në Milano, janë po ata që kanë tronditur vendin nga data 16 deri më 23 janar, kur automjeti “Audi i verdhë”, u gjet i djegur.

Gjatë asaj jave, një bandë që udhëtonte me shpejtësi të madhe nëpër autostrada, edhe në kah të kundërt të lëvizjes, kreu një sërë grabitjesh shtëpish e biznesesh, pati një shkëmbim zjarri me karabinierët dhe shkaktoi një aksident të rëndë, ku mbeti viktimë një grua.

Rasti u bë edhe më i bujshëm kur rezultoi se, fotografitë e shpërndara nga mediat, që folën për një grup shqiptarësh, nuk kishin asnjë lidhje me autorët. Një i ri shqiptar, që pati njohur veten në ato fotografi, u paraqit vullnetarisht në polici.

Ende nuk ka elementë që të vërtetojnë dyshimin se, banda e “BMW”-së është e njëjta me atë të “Audit të verdhë”, por i vetmi element që i lidh është mënyra dhe zona e lëvizjes.

Top Channel