Misteri i draftit për “Byronë”; Rama, Basha e Meta luajnë mes njëri-tjetrit

04/02/2016 18:20

Koha është ajo, me të cilën po luajnë tani partitë kryesore për Byronë Kombëtare të Hetimit. Lulzim Basha kërkon t’ia shkurtojë kohën e vendimit Edi Ramës.

“Kjo ka ndodhur prej afro 4 muaj e gjysmë dhe prej atëherë, pa asnjë shpjegim, Edi Rama refuzon të sjellë në Parlament aktin që i hap rrugë themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, shprehet kreu i opozitës, Basha.

Ndërsa kryeministri Rama u kujton të gjithëve 12 marsin, koha kur Komisioni i Venecias do të sjellë raportin final për ndryshimet kushtetuese, pjesë e të cilit është Byroja Kombëtare e Hetimit, tashmë me emrin Njësia e Posaçme e Hetimit.

“Për Byronë, ne e kemi mbaruar punën tonë. Por ne nuk jetojmë në hënë, por e dimë se ka një proces të reformës në drejtësi, që nuk mund të anashkalohet dot, e ne nuk mund të bëjmë dot diçka, që nesër apo brenda pak javësh, reforma mund ta konsiderojë të nxituar”, tha nga foltorja e Kuvendit, Edi Rama.

Kur debati parlamentar për këtë çështje kishte përfunduar, Lulzim Basha nuk mohoi se çështja e Byrosë lidhet me amendamentet kushtetuse dhe me Komisionin e Venecias, njësoj siç thotë kryeministri. Megjithatë, Lulzim Basha la të kuptohet se, në lojë me kohën janë edhe amerikanët.

“Nuk ka nevojë as për ndërhyrje në Kushtetutë, as për amendamente kushtetuese”, tha Basha.

TCH: Është pjesë e reformës në drejtësi, a duhet pritur Komisioni i Venecias?

“Ky aspekt i reformës në drejtësi, ngritja e kësaj strukture të posaçme të hetimit të korrupsionit të nivelit të lartë, pas të cilit me fondet e taksapaguesve amerikanë do të trajnohen punonjësit e policisë dhe prokurorët, ka rakordimin e plotë – formalisht na është raportuar, – të mazhorancës; ka rakordimin e plotë substancialisht dhe formalisht tonin, dhe ka kaluar përmes rekomandimeve të Venecias. Ndaj është e gatshme të adoptohet një orë e më parë, të gjitha të tjerat janë gënjeshtra dhe justifikime”, shpjegoi më tej Basha.

E ndërsa Meta, Rama dhe Basha luajnë me kohën për çështjen e Byrosë, i vetmi që nuk ka humbur kohë ka qenë Sali Berisha, i cili gjithë kohën e tij parlamentare ka folur edhe për statutin e PS-së, por jo për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Top Channel