Konferenca e donatorëve për Sirinë, sigurohen mbi 10 mld USD ndihma

04/02/2016 00:00

Konferenca e vendeve donatore, që po zhvillohet në Londër, ka arritur të sigurojë angazhimet e tyre për më shumë se 10 miliardë dollarë në favor të sirianëve të prekur nga konflikti civil 5-vjeçar, siç ka bërë të ditur kryeministri britanik, David Cameron.

Ai njoftoi gjithashtu se paratë do të përdoren për t’u ofruar miliona sirianëve ushqime, ndihmë mjekësore dhe strehim në mënyrë që t’u shpëtohet jeta.

Refugjatët në vendet fqinje të Sirisë do të kenë më shumë akses në proceset e edukimit dhe punësimit, shtoi më tej ai. Mbledhja e sotme në kryeqytetin britanik është errësuar disi nga pezullimi i bisedimeve të paqes në Gjenevë, si dhe luftimeve intensive në terren.

Një ofensivë e qeverisë siriane, e mbështetur nga sulmet ajrore ruse, është duke vazhduar në veri të Aleppos. Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu deklaroi se rreth 70 mijë sirianë u janë larguar bombardimeve, duke lëvizur kryesisht drejt Turqisë.

Cameron, në përfundim të konferencës njëditore, shtoi gjithashtu se 6 miliardë dollarë janë premtuar vetëm për këtë vit, ndërkohë që 5 miliardë dollarë të tjerë priten të jepen gjatë viteve të ardhshme, deri në 2020-n.

Kryeministri britanik tha se Turqia, Jordania dhe Libani, të cilët së bashku kanë strehuar mbi 4,6 milionë refugjatë, janë angazhuar të sigurojnë akses të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët e refugjatëve.

“Komuniteti ndërkombëtar po i mbështet ata me burimet e nevjoshme, të cilat do t’u lejojnë atyre të mos jenë një gjeneratë e humbur”, tha Cameron, duke shtuar se rreth një milion fëmijë, aktualisht pa shkollë, do të mund të regjistrohen në to me të përfunduar ky vit shkollor.

Vendet fqinje, siç u shpreh ai, kanë ndërmarrë gjithashtu një “angazhim kurajoz” për të nxitur ekonomitë e tyre të ofrojnë më shumë punësim ndaj tyre, falë ndihmesës me rreth 40 miliardë dollarë kredi dhe falë hapjes së tregjeve europiane, të cilat do të krijojnë një milion vende të reja pune në rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon lavdëroi mbledhjen e mbi 60 vendeve, duke e quajtur konferencën si “një sukses i madh”. “Kurrë më parë, komuniteti ndërkombëtar nuk ka ofruar kaq shumë para në një ditë të vetme për një krizë të vetme”, përfundoi deklaratën Ki-moon.

Top Channel