Shkarkohet inspektori i AKU-t në Kakavijë, u denoncua nga Fiksi

04/02/2016 00:00

Një ditë pas denoncimit në Fiks Fare, inspektori i AKU-t në Pikën e Inspektimit Kufitar të Kakavijës, Selman Caka është shkarkuar dhe ndaj tij janë marrë masat administrative në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Duke marrë shkas nga filmimet e bëra publike në transmetimin e së mërkurës nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Isuf SHEHU, ka marrë masa për largimin nga detyra të inspektorit veterinar në Doganën e Kakavijës, Selman Caka.

Largimin e tij e njofton përmes një komunikate për mediat Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ku sqarohet se inspektori në fjalë nuk ka zbatuar ligjin për ushqimin, shërbimin veterniar në Republikën e Shqipërisë si dhe procedurat teknike që duhet të ndiqen nga Pikat e Inspektimit Kufitar gjatë importit të kafshëve të gjalla.

“Organi disiplinor i AKU-së, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, ka filluar procedurën për largim nga Shërbimin Civil për nëpunësin Selman Caka. Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Isuf SHEHU urdhëroi kontrolle të rrepta fizike në pikat doganore për të gjitha importet e  kafshëve të gjalla”, thuhet në njoftim.

AKU siguron publikun për marrjen e të gjitha masave për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorit shqiptar.

Top Channel