Moratoriumi 10-vjeçar i pyjeve. Deputetët, akuza reciproke në Kuvend

04/02/2016 00:00

Shqipëria ka 14% sipërfaqe pyjore më pak, si pasojë e shfytëzimit barbar të pyjeve me dhe pa leje. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha në Kuvend se, vendosja e moratoriumit 10-vjeçar është një masë e detyrueshme për të shmangur katastrofat e tjera mjedisore.

“Të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë për ta implementuar këtë moratorium. Të jenë bashkitë, ato që do të evidentojnë nevojat e popullatës për dru zjarri, e të jenë po ato që t’ua sheshin banorëve me një kosto sociale. Këto të ardhura, me ligj të parashikuar t’i kalojnë për pyllëzime”, tha Lefter Koka.

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi i ka ofruar kreut të qeverisë një tjetër moratorium.

“Edhe një moratorium tjetër, që të mos u hyjë njeri në mes te martesa me leverdi, që ke me Ilir Metën, ndonëse je i vetmi politikan që predikon lidhjen e dy njerëzve për pazar, ndërkohë që bota ka mijëra vite që lutet dhe falet për dashuri”, u shpreh Astrit Patozi.

Deputetja Arta Dade, e cila ka ngritur një padi penale në Prokurori mbi masakrën e kryer në zonën e Shelegurit në Ersekë, ka vënë gishtin mbi deputetin e opozitës në këtë zonë, i cili ka zgjedhur të heshtë.

“Këtë kasaphanë po e bënte një nga miqtë dhe sponsorët kryesorë të opozitës së tanishme, të cilët nëse e kanë realisht seriozisht duhet të shkojnë te qytetarët e Kolonjës, që i mbrojnë pyjet, dhe të kërkojnë ndjesë për atë që nuk kanë bërë në 8 vite”, deklaroi nga foltorja e Kuvendit, Arta Dade.

“Subjekti i ish-kryetarit të Partisë Socialiste, aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Ersekës, ka shfrytëzuar lëndë drusore në zonën e mbrojtur të Shelegurit”, tha Robert Papa.

Deputetët e opozitës kanë ngritur dyshime mbi mënyrën e zbatimit të moratoriumit dhe efikasitetit të tij.

Top Channel